“Shën Nikolli” Vau-Dejës Katedralja e Dioqezës

Famullia “Shën Nikolli” – Vau-Dejës: është ndër famullitë më të mëdha të dioqezës me rreth 5000 besimtarë. Ndodhet afër selisë së kësaj dioqeze. Famullitari i kësaj famullie është Vikari Gjeneral i Dioqezës, Dom Simon Kulli, i cili e ushtron këtë shërbim që prej 12 viteve. Së bashku me famullitarin shërbejnë edhe bashkësia e Motrave Dorote. Në këtë famulli është e ndërtuar Katedralja që i kushtohet humanistes së madhe Nënë Tereza. Kjo Katedrale është Kisha Nënë e Dioqezës së Sapës, e cila mbledh të gjitha Kishat simotra të kësaj dioqeze.

Ndërtimi i saj pati fillimet me datën 10 nëntor të vitit 2002, me bekimin e gur-themelit të parë nga Shkëlqesia e Tij Kardinali Crescenzio Sepe, në atë kohë Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Me angazhimin e madh të ish Ipeshkvit të asaj kohe, Imzot Dodë Gjergjit, (sot Ipeshkëv në Kosovë), u bë e mundur që Katedralja e re të ndërtohej pothuajse e gjitha brenda tre viteve. Dhe me datën 5 shtator 2005 u bë Bekimi i saj.

Me emërimin e Ipeshkvit të ri të kësaj Dioqeze, Imzot Lucjan Avgustini me 5 janar 2007, punimet për ndërtimin e Katedrales vazhduan intensivisht. Kjo është Katedralja e parë në Shqipëri që iu kushtua bijës shqiptare, të Lumes Tereza e Kalkutës, gjerësisht e njohur me emrin Nënë Tereza, u Shugurua me datën 6 Shtator 2008, nga duart e ish- Ipeshkvit të Sapës Imzot Dodë Gjergji. Në këtë Katedrale vlen të përmendet fakti se janë shuguruar dy Ipeshkvinj: Imzot Dodë Gjergji e Imzot Lucjan Avgustini. Po në këtë Katedrale janë shuguruar edhe dy rregulltarët e parë në Dioqezë pas periudhës së egër Komuniste: Jezuiti i parë shqiptar, atë Zef Bisha dhe Kapuçini i parë shqiptar atë Prel Syla. Përballë Katedrales, në Sheshin Nënë Tereza, në qendër të qytetit ndodhet edhe Shtatorja e Nënë Terezes, vendosur dhe Bekuar me datën 7 maj 2006.