Aktivitete dioqezane

Inaugurimi i Muzeut Dioqezan Sapa

Dioqeza e Sapës, me rastin e festës së Krishtlindjes dhe fund vitit 2014 organizoi lobingun me Miqtë e Zadrimës, tashmë të pagëzuar në “Miqtë e Sapës”. Kjo nismë e filluar që para 10 viteve, (viti 2004)  nga ish ipeshkvi i asaj kohe, Imzot Dodë Gjergji, vit pas viti është trashëguar nga ipeshkvi pasardhës, Imzot Lucjan Avgustini, duke e çuar përpara këtë projekt në Edukimin dhe zhvillimin e mbarë dioqezës, posaçe në fushën e vreshtarisë, ullishtes dhe blegtorisë. Në këtë takim të udhëhequr nga ipeshkvi i vendit ishin të pranishëm, ipeshkvi i Malit të Zi Imzot Zef Gashi, meshtarë  e motra, ish deputetë të zonës, kryetarët e bashkive Vau-Dejës dhe Bushat, ekspert të fushave të ndryshme të ekonomisë, bujqësisë, e turizmit si dhe të ftuar të tjerë. Ky takim ishte i një rëndësie të veçantë sepse, përveç bilancit të punës gjatë këtij viti dhe përpjekjeve të përbashkëta në mbështetje të zhvillimit të komunitetit, u inaugurua edhe Muzeu Dioqezan i Sapës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, të paktën në rangun kishtar.

Edhe në fjalën e rastit Imzot Lucjani e cilësoi këtë muze, një muze simbolik të vogël por që flet shumë dhe mbart vlera të mëdha historike. Jam gjithmonë i mendimit tha ai, se gjërat e bukura dhe me vlerë duhet të vihen në pah për të mirën e të gjithëve dhe jo të mbahen të mbyllura në sirtar. Shpresoj që kjo nismë e cila është e para në Dioqezën tonë, të shumohet edhe në dioqezat e tjera dhe në zemrat e njerëzve, e të dimë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për dëshminë e kulturës duke lënë gjurmë, dhe për të shkruar faqet e historisë sonë nëpërmjet objekteve apo gjërave që kanë të bëjnë me traditën, kulturën e popullit dhe vendit tonë, përfundoi ipeshkvi. Ndërsa imzot Zef Gashi e vlerësoi këtë muze që po hap një faqe të re në historinë e kësaj dioqeze, duke iu rikthyer dinjiteti i gjërave historike të mohuara gjatë regjimit komunist.

Gjatë këtij takimi u mbajtën edhe disa referenca si: “Historiku i Dioqezës së Sapës” referuar nga Violeta Marashi; “Përmbledhje e veprimtarive të kishës në favor të zhvillimit të komunitetit” me referent Z. Nikolin Lekaj; “Rikonceptimi i Lëvizjes Lobuese për zhvillimin e kësaj dioqeze” referuar nga Z. Tom Preku,  si dhe diskutime dhe përshëndetje nga pjesëmarrësit.

Muzeu dioqezan është me vlera të veçanta dhe përmban sende dhe objekte kishtare dhe arkeologjike të gjetura, të mbledhura dhe të ruajtura ndër vite.

Ndër më të veçantat janë:

- veshjet e vjetra liturgjike të punuara me dorë;

- regjistra pagëzimi që në vitet 1800;

- rrobat, enë liturgjike dhe libri i meshës me të cilët ka kremtuar meshën dom Prenk Qafalia në Gjegjan të Pukës;

- libri i meshës dhe enët liturgjike me të cilët ka kremtuar meshën Dom Ejll Kovaçi;

- kryq dhe piksidë e përdorur prej dom Jak Zekës;

- gurë elteri me relike brenda saj e kishës së vjetër në Gjegjan;

- kumbona e kishës së Zojës në Dejë, e cila pati fatin e keq të rrënohej me dinamit;

- pjesë të thyera të këmbanës së kishës së Shën Lukës në Gomsiqe;

- kumbona e vjetër e vitit 1791;

- kelk i cili është përdorë për kremtimin e meshës në burg;

- gurë të gdhendur të katedrales së vjetër të Sapës në Nënshat;

Një vend i veçantë iu është rezervuar edhe martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri e shoqëruar me hartën e burgjeve dhe kampeve famëkeqe gjatë diktaturës komuniste. Por në këtë muze nuk mund të mos mungonte gjithashtu edhe këndi kushtuar vizitës së Atit të Shenjtë Papa Françeskut në Tiranë si dhe një pjesë e dëshmisë së të mbijetuarës së komunizmit, motrës Stigmatine, Marie Kaleta.

Viti Jetës së Kushtuar Zotit në Sapë, dëshmi gjurmëve të Krishtit

Njëherësh me përurimin e Vitit rregulltar Kushtuar Zotit në Vatikan nga Papa Françesku, në Meshën me rregulltarë e rregulltare, edhe dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës, hapi këtë Vit të Jetës së Kushtuar Zotit “si dëshmi guximtare në gjurmët e Krishtit dhe sfidë përballë njeriut bashkëkohor”, siç pohoi rregulltari françeskan Atë Flavio Cavallini.

Bashkësia e etërve dhe motrave karmelitane në Nënshat priti sot mbarë klerin dioqezan të Sapës për të kremtuar së bashku 2 shkurtin që i kushtohet jetës së kushtuar, që liturgjikisht njihet si “Paraqitja e Krishtit në Tempull”, ndërsa ndër shqiptarët njihet si “Zoja e Qirave. Vetë Bariu i Sapës Imzot Avgustini ka shprehur dëshirën që së bashku me bashkësitë rregulltare dhe meshtarët dioqazan të jenë të bashkuar në këtë festë mjaft domethënëse, duke dhënë kështu dëshminë e të qenurit pjesëtarë të një familjeje, asaj dioqezane.

Takimi i ditës së sotme nisi me lutjen e orës së mesme për t’i lënë vend më pas ligjëratës së mbajtur nga françeskani dhe misionari italian prej vitesh në Shqipëri, Atë Flavio Cavallini. Një vend të veçantë zuri edhe adhurimi i të shenjtërueshmit sakrament të Eukaristisë dhe Rrëfimet. Ndërsa liturgjia e Qirinjve ndoqi procesionin nga Qendra Shpirtërore e Etërve Karmelitanë drejt Kishës duke vazhduar me kremtimin e Meshës Shenjte kryesuar nga Imzot Lucjan Avgustini. Në fjalën e rastit Shkëlqesia e Tij theksoi fjalët e Nxitjes Apostolike “Verbum Domini” duke thënë se “jeta e Kushtuar Zotit është dëshmi guximtare e krijuese në botën e sotme. Është sfidë përballë njeriut bashkëkohor. Është një jetë e ecjes në gjurmët e Krishtit, është dëshmi e vetë mësimeve të Ungjillit. Kjo jetë e kushtuar theksoi ai lind prej dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe e pranon Ungjillin si normën e vet të jetës” Imzot Avgustini shpalosi para asamblesë së tij edhe porositë e Atit të Shenjtë dhënë me rastin e Vitit kushtuar jetës rregulltare, ndër të cilat përmendi se Dëshmia juaj e ndritshme e jetës do të jetë si dritë mbi pishtar, për ta ndriçuar e për ta ngrohur mbarë popullin e Hyjit” “Zgjojeni botën! Ndriçojeni me dëshminë tuaj profetike kundër rrymës”. 

Me të përfunduar tryeza Eukaristike, kleri dioqezan e rregulltaret u bashkuan edhe në tryezën vëllazërore përmes një koktei pranë kuvendit Karmelitan.

Kujtojmë se kremtimet për Vitin e Jetës së Kushtuar sapo kanë filluar dhe nisur nga shpallja e Atit të Shenjtë që 30 nëntori 2015 – 2 shkurti 2016 do të jetë Viti i Jetës së Kushtuar, do të zhvillohen kremtime të ndryshme gjatë këtij Jubileu, që do të jenë të organizuar si në nivel dioqezan ashtu dhe kombëtar.