Ipeshkëv i Sapës Avgustini Lucjan

Ipeshkëv i Sapës

Lucjan Avgustini, lindi  me 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj (Kosovë) ...

Më shumë

Fjala e Ipeshkvit LucjanAvgustini

Fjala e Ipeshkvit

Jemi krejt afër festës së lindjes të Zotit tonë Jezu Krishtit. Besoj ...

Më shumë

Bashkesite rregulltare

Bashkesite rregulltare

Karmeli është rregull i Marisë i themeluar në Palestinë ...

Më shumë

Hapja e Jubileut të Mëshirës në Dioqezën e Sapës

 

Hapja e Jubileut të Mëshirës në Dioqezën e Sapës, 13. 12. 2015

E DIELA E TRETË E ARDHJES 

 Fjala e rastit e Imzot Lucjan Avgustinit 

 

Të dashur vëllezër meshtarë, rregulltar dhe rregulltare, seminarista Mark dhe Zef,

besimtarë të mi të dashur, vëllezër dhe motra,

Liturgjia e ditës së sotme është shumë e pasur në kuptimin e plotë të saj për faktin se e kemi filluar Vitin e Jashtëzakonshëm Jubilar të Mëshirës, prandaj sot dëshiroj të ndalem në dy porosi, në porosinë e Fjalës së Zotit dhe të Vitit Jubilar të Mëshirës.

Fjala e Zotit që e dëgjuam na thërret në gëzim, prandaj kjo e diele e III e Ardhjes, quhet e diela e “GËZIMIT”, të gëzohemi e të galdojmë në Zotin. 

Sofonia profet, në leximin e parë na fton të gëzojmë e të kemi besim. Profeti shpall se Hyji është në mes të popullit dhe shpëtimi i tij është afër. 

Edhe Shën Pali porosit që të jetojmë në shpirtin e gëzimit. Krishti është afër atij që vuan, shpreson dhe është në sprovë. 

Në Ungjill dëgjuam predikimin e Gjon Pagëzuesit dhe thirrjen e tij për tu kthyer.  Ai shpall ardhjen e Shëlbuesit dhe thërret të gjithë njerëzit që të pendohen e të kthehen. Kthimi duhet të jetë i vërtetë dhe duhet të përfshijë të gjithë jetën tonë.

Çka na duhet të bëjmë që të shëlbohemi? Është pyetja që e dëgjuam në Ungjill. Gjon Pagëzuesi kërkon që secili në detyrat që i ka të veprojë me drejtësi e dashuri. Nuk përjashtoi askënd i pranoi të gjithë dhe i këshilloi.

Edhe ne Vëllezër e motra jemi të gjithë të thirrur ta përjetojmë dashurinë shëlbimprurëse të Hyjit. Ati qiellor na fton të gjithëve, nuk e përjashton askënd, të gjithëve na pranon. Viti Jubilar i Mëshirës, që e kemi fillur me, siq na porositë Papa Françesku, është thirrje për kthim, pajtim, sepse të gjithë: “kemi nevojë të sodisim misterin e mëshirës, burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Mëshira është rruga që bashkon Hyjin dhe njeriun, sepse ia hap zemrën shpresës se jemi të dashur gjithmonë pa marrë parasysh kufizimin e mëkatit tonë” (krh Fytyra e Mëshirës 2). Të Enjten në Audiencën e përgjithshme, Papa Françesku na kujton se pse ka shpallë një Vit të jashtëzakonshëm të Mëshirës dhe thotë:  “Kisha ka nevojë për këtë çast të jashtëzakonshëm. Sepse duhet t’i bëjë të dukshme shenjat e pranisë e të afërsisë së Zotit”.

Mëshira është thelbi i porosisë së Ungjillit, është emri i Hyjit, sepse Zoti është Dashuri. Zoti na e ka ofruar falas mëshirën e tij, Ai nuk kërkon asgjë për shkëmbim, nuk kushtëzon me asgjë dhe i pranon të gjithë në përqafimin e Tij. Duhet vetëm dashuri e vullnet për ta pranuar e për ta dëshmuar. Ja pra, ky Vit Jubilar  është kohë e favorshme për të gjithë ne, që të bëhemi dëshmitarë të Dashurisë së Zotit që na është dëftuar. Në këtë vit duhet t’i hapim zemrat, që kjo dashuri, ky gëzim i Zotit të na mbushë të gjithë me mëshirë. E Mëshira e bën botën më njerëzore. E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Prandaj, Mëshira dhe falja duhet të ndihet fort, në jetën tonë, në familjet tona, në shkollë, në punë, në rrugë në bashkësitë famullitare...

Këtë Vit Jubilar duhet ta jetojmë në dritën e fjalës së Zotit: Të Mëshirshëm sikurse Ati, mësim që Jezu Krishti e kërkon prej nesh, «bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm». Kjo thirrje e Krishtit duhet të jetë program jete.

Në letrën që Papa na e ka dërguar me rastin e Vitit Jubilar e cila titullohet “Fytyra e Mëshirës” në kapitullin e 10 shkruan: “Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Falja është një forcë që të ngjall në jetën e re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë”, dhe bën thirrje “nëse ti nuk di të falësh, ti nuk je i krishterë. Nëse ti nuk fal, ti nuk mund të marrësh paqen e Zotit, faljen e Zotit. Falni njëri tjetrin! Siç ju ka falur Zoti, ashtu bëni edhe ju”.

Shumë të dashur besimtarë, e njoh mirë gjendjen e grigjës e cila më është besuar në kujdes shpirtëror dhe e kam diagnostifikuar  një sëmundje që e ka kapluar.  Kjo sëmundje duhet të shërohet, përndryshe na shkatërron si grigjë e Zotit. Sëmundje quhet: inati, ngatërresat, gërgatjet, nuk flasin e nuk hyn e dalin vëlla me vëlla, edhe më keq në disa raste ka ndodhur edhe vrasje, pastaj dëshira për hakmarrje, me vra tjetrin...  Si bari, e kam fort për zemër që të gjithë të punojmë pa u lodhur për falje e pajtim ndërmjet familjeve dhe personave.

Një mënyrë e të jetuarit me këtë sëmundje, nuk është në përkim me Zotin dhe Ungjillin e Krishtit. Të jetuarit në urrejtje, në inat me dëshirë për tu hakmarrë i shërben rritjes së të keqes, i shërben djallit të mallkuar. “Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme e për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë…  Falja është mjeti që kemi në duart tona për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur” (Fyt. e Mëshirës 9).

Papa Françesku u bën thirrje të gjithëve në kthim kah Zoti: “ju drejtohet me më shumë këmbëngulje atyre personave që janë larg hirit të Hyjit për shkak të mënyrës së tyre të jetesës. Për të mirën e tuaj, ju kërkoj të ndryshoni jetë. Pasurinë nuk do ta marrim me vete në jetën e përtejme. Paraja nuk na e jep lumturinë e vërtetë. Për të gjithë, herët a vonë, vjen gjykimi i Hyjit të cilit askush nuk mund t’i ikë”.

Nuk mund të lë anash sot, këtë të Diele, të cilën e kemi caktuar si dita e bamirësisë, dita e Caritasit. Nuk ka moment më të mirë për ta kremtuar këtë ditë se sa në hapjen e Vitit Jubilar duke e pasur parasysh edhe vetë kujdesin e Papa Françeskut i cili na porositë: “

Me gjithë shpirt dëshiroj që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut mbi veprat e mëshirës trupore dhe shpirtërore. Do të jetë një mënyrë për të rizgjuar ndërgjegjen tonë shpesh të përgjumur përpara dramës së varfërisë dhe për të hyrë gjithmonë e më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfrit janë të privilegjuar nga mëshira hyjnore.

I rizbulofshim veprat e mëshirës trupore: t’u japim për të ngrënë të uriturve, t’u japim ujë të eturve, të veshim të zhveshurit, të strehojmë të pastrehët, të vizitojmë të sëmurët, të vizitojmë të burgosurit, të varrosim të vdekurit. E mos i harrofshim veprat e mëshirës shpirtërore: të këshillojmë ata që dyshojnë, të mësojmë të paditurit, të qortojmë mëkatarët, të ngushëllojmë të pikëlluarit, të falim fyerjet, të durojmë personat e mërzitshëm, t’i lutemi Hyjin për të gjallët e të vdekurit.

Nuk mund t’u shmangemi fjalëve të Zotit dhe në bazë të tyre do të gjykohemi: nëse do t’i kemi dhënë për të ngrënë atij që ka uri dhe për të pirë atij që ka etje. Nëse do ta kemi strehuar të pastrehët dhe veshur të zhveshurin. Nëse kemi pasur kohë për të qëndruar me atë që është i sëmurë dhe i burgosur (khs. Mt 25,31-45).

Le të mos i harrojmë fjalët e Shën Gjonit të Kryqit: «Në fund të jetës, do të gjykohemi mbi dashurinë»

Vëllezër dhe motra, ky Vit është një thirrje dhe një mundësi që të gjithë ti gëzohemi burimit të paqes dhe lumturisë që Zoti na e dhuron nëpërmjet sakramentit të Rrëfimit, të pajtimit me Zotin dhe njëri tjetrin si dhe nëpërmjet veprave të mëshirshme të trupit e të shpirtit. Le të na jetë në ndihmë Virgjëra Mari, Nëna e Mëshirës ajo le të na mëson dhe udhëheqë për ta jetuar sa më mirë këtë Vit Jubilar të Mëshirës. Amen!

Aktualitet

Famullite

Rajë: Kisha “Lindja e Zojës” Kjo kishë ka ekzistuar edhe para komunizmit. Më...

Ipeshkvinjeve te Sapes

Radha e ipeshkvinjve të dioqezës së Sapës fillon me Pjetrin, me 11 Qershor të vitit 1291.

Më shumë