Ipeshkëv i Sapës Avgustini Lucjan

Ipeshkëv i Sapës

Lucjan Avgustini, lindi  me 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj (Kosovë) ...

Më shumë

Fjala e Ipeshkvit LucjanAvgustini

Fjala e Ipeshkvit

Jemi krejt afër festës së lindjes të Zotit tonë Jezu Krishtit. Besoj ...

Më shumë

Bashkesite rregulltare

Bashkesite rregulltare

Karmeli është rregull i Marisë i themeluar në Palestinë ...

Më shumë

Letra e Ipeshkvit te Sapes per Krishtlindje 2015

 

 

 Letra për Krishtlindje 2015

 

 

LUCJAN AVGUSTINI

IPESHKËV I SAPËS  - EPISCOPUS SAPPENSIS

 

 

 

U dëftua mirësia e Hyjit dhe dashuria e tij ndaj njerëzve

 

 

 

Shumë të dashur meshtar, rregulltar, rregulltare,

vëllezër e motra, besimtarë dhe njerëz vullnet mirë

 

“... u dëftua mirësia e Hyjit Shëlbuesit, tonë dhe dashuria e tij ndaj njerëzve. Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet...”

 (Tit 3, 4 – 5)

 

Nëpërmjet këtij mendimi të Shën Palit apostull dëshiroj të vij tek të gjithë ju, në këto Krishtlindje të këtij Viti Jubilar të Mëshirës, kohë kjo e veçantë e hirit të Zotit për dobinë shpirtërore të gjithsecilit dhe për të mirën e gjithmbarshme të njerëzimit.

Krishtlindja është festa e mëshirës së Zotit sepse me Mishërimin e Birit të Hyjit na u dëftua dashuria shëlbimprurëse. Mishërimi i Birit të Hyjit është dhuratë për botën mbarë. Krishtlindja është dritë e madhe për të gjithë ne, sepse Zoti dëshmon solidaritetin e tij hyjnor. Erdhi si Dritë e vërtetë për ta ndriçuar botën dhe që njerëzimin të mos e lejë në errësirë, por ta mbushë me dritën e dashurisë së tij. Dashuria e Krishtit Fëmijë ka fituar dhe do të fitojë mbi mëkatin, urrejtjen, dhunën, luftën, padrejtësinë, korrupsionin e shumë të këqija tjera që dominojnë në zemrat njerëzore e të cilat e shpërfytyrojnë bukurinë e dhuruar prej Krijuesit. Sa kemi nevojë për këtë Dritë hyjnore që të ndriçohen zemrat tona e për të larguar errësirat që na kanë kapluar?!

Hyji, shpesh i ka folur njerëzimit në kohëra të ndryshme të historisë. Në Jezu Krishtin,  na ofrohet përfundimisht Fjala e Mishëruar. Të gjithë ata që e dëgjojnë dhe e pranojnë bëhen trashëgimtarë të jetës së pasosur, në saje të mëshirës së vet. Kërkohet prej nesh, që të dëgjohet Fjala e Mishëruar e cila na e mundëson ta përjetojmë Krishtlindjen si takim me Zotin. Ai vjen i pari për të na takuar dhe na mëson, na edukon, na ndihmon dhe bën që të rritemi në plotësinë e gëzimit të jetës.

Mishërimi i Birit të Hyjit ndodhë për të transformuar mënyrën dhe mentalitetin e të jetuarit tonë. Krishtlindja është kthim, ndryshim i zemrës dhe mendjes, duke refuzuar  çdo lloj dhune, krim apo të keqe,vepra këto që pengojnë për ta takuar Zotin.

U dëftua mirësia e Hyjit Shëlbues dhe dashuria e tij ndaj njerëzve. Mirësia që na u zbulua është mësim i Atit për të kryer veprat që sjellin shëlbimin. Është një proces me të cilën duhet ti përngjasim plotësisht vullnetit të Tij, që është Mëshira, “bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk 6, 36). Mëshira e bën botën më njerëzore. Është dhuratë e dashurisë së Zotit për të gjithë. Është rast shumë i volitshëm për ta mundur të keqen duke e pranuar të Vërtetën e cila na bën të lirë.

Krishtlindja është vëllazëri, sepse Jezu Krishti na mëson që ta mundim urrejtjen, inatin, ndjenjën e hakmarrjes, që të mundim çdo formë dhune. Kush e vret vëllain e vet, vret veten. E keqja nuk mund të prodhojë kurrë të mirën, por vetëm të keqe edhe më të madhe dhe shkatërrimin. Vetëm mëshira dhe dashuria mund ta ndërrojë zemrën e njeriut.

Shumë të dashur, sikurse ju kam shkruar në letrën të cilën ju kam drejtuar me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës, prapë po ju drejtohem me të njëjtën thirrje: Falni njëri tjetrin! Sikurse na fal ne Zoti, ashtu të bëjmë edhe ne, ta falim njëri tjetrin.

Papa Françesku, na mëson: “nëse ti nuk di të falësh, ti nuk je i krishterë. Nëse ti nuk fal, ti nuk mund të marrësh paqen e Zotit, faljen e Zotit”. “Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Falja është një forcë që të ngjall në jetën e re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë” (Fytyra e Mëshirës 10).

Për këtë arsye, për hir të Dashurisë që na është dëftuar e që quhet Jezu Krisht,  ju ftoj që të pajtohemi si individë dhe si familje. “Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë…  Falja është mjeti që kemi në duart tona për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur” (Fytyra e Mëshirës 9).

Në këtë Vit të jashtëzakonshëm të Jubileut të Mëshirës, jemi të thirrur mbi të gjitha për të rikuperuar patronazhin njerëzor (human) dhe të besimit me ate që Lindi për ne. Të gjithë ne kemi nevojë për ti lartësuar zemrat tona kah qielli, për të kërkuar rrezet e Dritës hyjnore e cila na është dëftuar në grazhdin e Betlehemit në Krishtin dhe për tu mbushur me dashurinë e tij. Duke e pranuar mësimin e dashurisë së Foshnjës hyjnore ne i japim ekzistencës sonë një limfë të re të të jetuarit në solidaritet, vëllazëri, dhe si “njerëz vullnet mirë mbi tokë”. Atëherë bëhemi ndërtues të paqes dhe përçues të dashurisë dhe mëshirës hyjnore.

Me këto mendime uroj që të gjithë ne të bëhemi ndërtues të paqes dhe përçues të dashurisë e mëshirës hyjnore për një botë më të mirë dhe më të lumtur.

 

Për shumë vjet Krishtlindja!

Në të gjitha familjet tona mbretëroftë mëshira, dashuria, falja dhe pajtimi!

 

Bariu i juaj

 

Imzot Lucjan Avgustini


Aktualitet

Famullite

Rajë: Kisha “Lindja e Zojës” Kjo kishë ka ekzistuar edhe para komunizmit. Më...

Ipeshkvinjeve te Sapes

Radha e ipeshkvinjve të dioqezës së Sapës fillon me Pjetrin, me 11 Qershor të vitit 1291.

Më shumë