Ipeshkëv i Sapës Avgustini Lucjan

Ipeshkëv i Sapës

Lucjan Avgustini, lindi  me 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj (Kosovë) ...

Më shumë

Fjala e Ipeshkvit LucjanAvgustini

Fjala e Ipeshkvit

Jemi krejt afër festës së lindjes të Zotit tonë Jezu Krishtit. Besoj ...

Më shumë

Bashkesite rregulltare

Bashkesite rregulltare

Karmeli është rregull i Marisë i themeluar në Palestinë ...

Më shumë

Predikimi me rastin e Krishtlindjes

Krishtlindja 2015 - mesha e mesnatës

 

Fort të dashur besimtarë,

Në këtë Natë të Shenjtë të Lindjes së Shëlbuesit të njerëzimit të gëzojmë të gjithë: sepse Zoti erdhi ndër ne. Askush nuk përjashtohet nga ky gëzim dhe prej kësaj lumturie. Zoti erdhi ndër ne për të mirën dhe shëlbimin e të gjithëve.

Shikimin tonë duhet që ta drejtojmë gjithmonë kah qielli, me fe, shpresë dhe me falënderim ndaj Zotit për dhurimin dhe zbrazjen e hireve në këtë Vit të shenjtë të Jubileut të Mëshirës, për njohjen e mrekullisë prej Papa Françeskut për shenjtërimin e Nënës Tereze si dhe për procesin e shpalljes së martirëve shqiptar gjatë komunizmit. Të gjitha këto që përmenda janë hir mbi hir për Kishën dhe popullin tonë.

Hiret e dhuruara sjellin të mira të shumta nëse dimë t’ia hapim zemrën Atij, i cili e mori natyrën tonë njerëzore dhe i përgjigjemi thirrjes që të jemi të mëshirshëm sikurse Ai është i mëshirshëm.

Leximi i parë i Isaisë Profet na mëson se: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe”. Vëllezër dhe motra, Dritën e vërtetë me të cilën zhduket errësira e zemrës na e solli Jezu Krishti. Krishtlindja është Dëftim dhe zbulim i një ngjarjeje të madhe, asaj të të mishëruarit të Zotit. Është Dëftim dhe zbulim i dashurisë së Zotit për njeriun.

Erdhi si Dritë e vërtetë për ta ndriçuar botën dhe njerëzimin që ecë në errësirë ta mbushë me dritën e dashurisë së tij. Dashuria e Krishtit Fëmijë ka fituar dhe do të fitojë mbi mëkatin, urrejtjen, dhunën, luftën, padrejtësinë, korrupsionin e shumë të këqija tjera, që dominojnë në zemrat njerëzore dhe e mbajnë ate në errësirë. Sa kemi nevojë për këtë Dritë hyjnore që të ndriçohen zemrat tona e për të larguar errësirat që na kanë kapluar?!

Foshnja e Betlehemit i kujton njeriut misionin e madh: atë të shpalljes së Hyjit mes nesh, t’i sjellë botës porosinë e shpresës dhe të shëlbimit! Sikurse na mëson edhe shën Pali në leximin e dytë të kësaj nate “u duk hiri i Hyjit që sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Duhet të dimë ti biem mohit dëshirave të shekullit, që të jetojmë urtisht. Drejtësisht dhe përshpirtërisht...”.

Mishërimi i Birit të Hyjit ndodhë për të transformuar mënyrën dhe mentalitetin e të jetuarit tonë. Krishtlindja është kthim, ndryshim i zemrës dhe mendjes, duke refuzuar  çdo lloj dhune, krim apo të keqe,vepra që pengojnë njeriun për ta takuar Zotin.

Mirësia që na u zbulua është mësim i Atit për të kryer veprat që sjellin shëlbimin. Është një proces me të cilën duhet ti përngjasim plotësisht vullnetit të Tij, që është Mëshira, “bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk 6, 36). Mëshira e bën botën më njerëzore. Është dhuratë e dashurisë së Zotit për të gjithë.

Krishtlindja është vëllazëri, sepse Jezu Krishti na mëson që ta mundim urrejtjen, inatin, ndjenjën e hakmarrjes, që të mundim çdo formë dhune. Kush e vret vëllain e vet, vret veten. E keqja nuk mund të prodhojë kurrë të mirën, por vetëm të keqe edhe më të madhe dhe shkatërrimin. Vetëm mëshira dhe dashuria mund ta ndërrojë zemrën e njeriut.

Shumë të dashur, me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës, prapë po ju drejtohem me thirrje je ju përbej në Zotin: Falni njëri tjetrin! Sikurse na fal ne Zoti, ashtu të bëjmë edhe ne, ta falim njëri tjetrin. Papa Françesku, na mëson: “nëse ti nuk di të falësh, ti nuk je i krishterë. Nëse ti nuk fal, ti nuk mund të marrësh paqen e Zotit, faljen e Zotit”. “Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Falja është një forcë që të ngjall në jetën e re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë” (Fytyra e Mëshirës 10).

Për këtë arsye, për hir të Dashurisë që na është dëftuar e që quhet Jezu Krisht,  ju ftoj që të pajtohemi si individë dhe si familje. “Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë…  Falja është mjeti që kemi në duart tona për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur” (Fytyra e Mëshirës 9).

Shën Luka Ungjilltar na kujton se Qetësia e zemrës “mos kini frigë” dhe lajmi “sot në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot”  janë dy leksione që duhet mësuar.

Në grazhdin e Betlehemit bashkohen qielli e toka. Aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat; aty përjetohet gëzimi; aty lind kënga e jetës sonë.

Një këngë, që fatkeqësisht nuk e dëgjojnë të gjithë. Shumë janë shurdhë ose indiferentë. Njerëzimi e di se ka nevojë për mirësinë e kësaj Foshnje por shumë kush nuk ka guxim ti afrohet, ta kërkon. Njerëzimi pret Hyjin, afërsinë e Tij. Por kur arrin momenti, nuk ka vend për Të. Njerëzit janë tepër të zënë me vetveten, saqë nuk mbetet asgjë për tjetrin – për të afërmin, për të varfrin, për Zotin

Por Zoti nuk e lë veten jashtë, përpiqet të gjejë rrugën drejt zemrës së njerëzve. Ai e di se ka njerëz që e shohin dritën e tij.

Lindja e Krishtit në Betlehem na flet se, Zoti na do dhe dëshiron që këtë t’ua zbulojë të gjithëve. Ai na do pakufi, nuk na braktisë kurrë dhe nuk na le të vetmuar në qoftë se ne e kërkojmë dhe ia hapim zemrën.

Ai na flet dhe thërret; na thërret që ta njohim! E thërret secilin për emër dhe zbulon krejt dashurinë e faljes e të pajtimit, dëshiron të na marrë për dore e të na drejtojë në rrugën e drejtë. Lindja e Krishtit na ndihmon të bëhemi të vetëdijshëm se sa vlen jeta njerëzore, jeta e çdo njeriu, që nga momenti i parë i ngjizjes deri në përfundimin e saj të natyrshëm.

Kush ia hap zemrën kësaj foshnje, mbështjellë me shpërngaj në grazhdin e Betlehemit, i ofrohet mundësia ta shohë realitetin me një sy tjetër, ta shijojë fuqinë e brendshme të dashurisë së Zotit, e cila e shndërron hidhërimin në gëzim, urrejtjen në dashuri, dobësinë në fuqi. Njeriut të sotëm i duhet më tepër zemra se sa arsyeja e mendjes. Gjërat mund t’i shohim ashtu siç janë vetëm me zemër.

Në këtë Vit të jashtëzakonshëm të Jubileut të Mëshirës, jemi të thirrur mbi të gjitha për të rikuperuar patronazhin njerëzor (human) dhe të besimit me ate që Lindi për ne. Të gjithë ne kemi nevojë për ti lartësuar zemrat tona kah qielli, për të kërkuar rrezet e Dritës hyjnore e cila na është dëftuar në grazhdin e Betlehemit në Krishtin dhe për tu mbushur me dashurinë e tij. Duke e pranuar mësimin e dashurisë së Foshnjës hyjnore ne i japim ekzistencës sonë një limfë të re të të jetuarit në solidaritet, vëllazëri, dhe si “njerëz vullnet mirë mbi tokë”. Atëherë bëhemi ndërtues të paqes dhe përçues të dashurisë dhe mëshirës hyjnore.

Me këto mendime uroj që të gjithë ne të bëhemi ndërtues të paqes dhe përçues të dashurisë e mëshirës hyjnore për një botë më të mirë dhe më të lumtur.

 

Për shumë vjet Krishtlindja!

Në të gjithë ne dhe familjet tona mbretëroftë mëshira, dashuria, falja e pajtimi!

 

Krishtlindja 2015 - mesha e ditës

 

Fort të dashur besimtarë,

Së pari dëshiroj të gjithëve të ju uroj Festën e Krishtlindjes, juve që jeni të pranishëm në këtë meshë shenjte si dhe pjesëtarëve të familjeve tuaja, i kujtoj në lutjet e mia dhe nëpërmjet jush dëshiroj të ju përcjelli urimet e përzemërta të moshuarve dhe të sëmurëve, si dhe të gjithë bijve e bijave që janë larg gjirit të familjeve të tyre, në emigracion.

Me lindjen e Krishtit në botë vjen “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri”; “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”, edhe sot,  Krishti vjen në mesin tonë, në jetën tonë njerëzore dhe atyre që e pranojnë u jep “zotësinë të quhen bijtë e Hyjit”, u jep mundësinë ta shohin lavdinë hyjnore e të bashkëndajnë gëzimin e Dashurisë, që na u dëftua prej Krishtit Zot.

Shëlbuesi ynë u lind në botë sepse e di se kemi nevojë për Të. Jemi në Vitin e Mëshirës, një kohë hiri i veçantë që e ka shpallë Papa Françesku që na dhurohet, ku secili kemi prapë mundësinë me e taku Zotin, me e pranua pa marrë parasysh gjendjen tonë se si jemi apo si kemi jetuar deri sot. Është një kohë që na dhurohet prapë për të përjetuar mëshirën, dashurinë, faljen, hiret dhe bekimet prej Zotit, në qoftë se ne dojmë ta pranojmë ate në jetën tonë. Është thirrje për tu pajtuar me Zotin dhe me njëri tjetrin.

Botës së sotme, njerëzimit i duhet Lajmi i gëzimit që sjell shëlbimin. Në këtë Lajm të gëzimit ndjehet fort shpresa, besimi, dashuria dhe paqja, dhurata, që vijnë prej Hyjit. Kisha dëshiron ta ndihmon njeriun e sotëm të rigjejë, në mes të anktheve e turbullimeve, që nuk e lënë të qetë, rrugën e gëzimit, duhet t’i hapë mirë sytë e të shikojë se Zoti vazhdon të jetë i pranishëm e të veprojë! Mos vallë duhet ti mbyllim sytë,  përballë plagëve të shumta, nga të cilat vuan njeriu i sotëm. Jo, por pasi që bota dhe mjetet e komunikimit nuk e vënë në dukje këtë aspekt, është mirë t’i hapim sytë e të shikojmë edhe anën e ndritshme të të atij Lajmi që sjell Shëlbimin, gëzimin, lumturinë dhe paqen.

E drita është, jo sikurse mendonë dikush se Zoti nuk egziston dhe se nuk ka nevojë për besim dhe për të dëshmuar fenë. Por në të kundërtën. Dihet mirë se si kanë përfunduar të gjitha ato ideologji që në historinë e njerëzimit e kanë përkrahur mënyrën e jetës pa Zot.

Po shohim mirë se çka na ofron mënyra e të jetuarit në botën e sotme e dhanun pas materializmit dhe konsumizmit, një jetë e tillë larg vlerave humane, larg Krijuesit dhe Shëlbuesit nuk ka se si të sjellë lumturinë dhe gëzimin e vërtetë por shktaërrimin dhe kriza të mëdha sikurse edhe jemi duke i jetuar.

Po, Zoti nuk të pengon ta shijosh gëzimin, Zoti nuk është armik i jetës. Është gabuar, të mendosh se pa Zotin, pa besimin në Të, jeta është më e lumtur. Duhet t’i japim përgjigje kësaj hamendjeje boshe, që i mban larg fesë posaçërisht të rinjtë. Përdorimi i drogës, alkooli, dhuna, shpeshherë vrasëse, imoraliteti, lojnat e bixhozit, ndoshta te dikush për një çast krijon kënaqësi, por pastaj çojnë, pa dyshim në shkatërrim, në vuajtje e dhimbje, për vete, për familjen, për shoqërinë, por vuajtje edhe për Zotin, i cili nuk e do vdekjen dhe shkatërrimin tonë, por kthimin dhe shëlbimin.

Krishti është Shëlbuesi edhe i njeriu të sotëm, është shpresa jonë; ky është lajmi që Kisha bën të tingëllojë edhe sot. Shëlbuesi ynë ka lindur për të gjithë. Duhet ta shpallim jo vetëm me fjalë por edhe me krejt jetën tonë duke i dhënë botës dëshmi, ku mbretëron vëllazëria dhe falja, mikpritja dhe shërbimi i ndërsjellët, drejtësia, e vërteta dhe dashuria.

Për këtë arsye, për hir të Dashurisë që na është dëftuar e që quhet Jezu Krisht,  ju ftoj që të pajtohemi si individë dhe si familje. “Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë…  Falja është mjeti që kemi në duart tona për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur” (Fytyra e Mëshirës 9).

Lindja e Krishtit në Betlehem na flet se, Zoti na do dhe dëshiron që këtë dashuri t’ua zbulojë të gjithëve. Ai na do pakufi, nuk na braktisë kurrë dhe nuk na le të vetmuar në qoftë se ne e kërkojmë dhe ia hapim zemrën.

Të dashur vëllezër dhe motra, kudo që jeni, le t’ju mbërrijë ky Lajm gëzimi dhe shprese: Zoti është bërë njeri në Jezu Krishtin, ka lindur prej Marisë Virgjër dhe lindë rishtas edhe sot në Kishë. Është Ai që ju sjell të gjithëve dashurinë e Atit Hyjnor. Është Ai Shëlbuesi i botës! Mos kini frikë, hapjani zemrën, priteni që Mbretëria e Tij e dashurisë dhe e paqes të bëhet trashëgimi e përbashkët e të gjithëve. Le të drejtohen zemrat e të gjithëve te Shpella e Betlehemit, çdo njeri vullnet mirë mund të afrohet dhe me zemër të hyjë brenda Shpellës tek grazhdi i Foshnjes së Betlehemit për të takuar, pranuar dhe adhuruar Dashurinë e Zotit bërë njeri. Kemi nevojë për Dritën e Zotit që të na e ndriçojë udhën. Kjo është Krishtlindja e vërtetë: lindja e Jezusit në zemra tona, shpërthimi e rrezatimi i Dritës së Tij Hyjnore në jetën e veprat tona. Me këto mendime ju uroj të gjithëve: Për shumë vjet Krishtlindja! 

Imzot Lucjan Avgustini 

Aktualitet

Famullite

Rajë: Kisha “Lindja e Zojës” Kjo kishë ka ekzistuar edhe para komunizmit. Më...

Ipeshkvinjeve te Sapes

Radha e ipeshkvinjve të dioqezës së Sapës fillon me Pjetrin, me 11 Qershor të vitit 1291.

Më shumë