Pjese nga predikimi i Imzot Zef Gashit, mbajtur gjatë meshës përkujtimore të kalimit në amshim të Imzot Avgustinit
Imzot Lucjan Avgustini
Mesha në përvjetorin e parë të kalimit të tij në amshim
Vau-Dejës, 22. 05. 2017
Përshëndetje dhe falenderim për pjesëmarrje
Fort të nderuar vëllezër në episkopat dhe në meshtari, të dashur rregulltarë e rregulltare, seminarista e kandidatë, të dashur vëllezër e motra në pagëzim, shumë të nderuar anëtarë të familjes Avgustini, e nderuara Dioqezë e Sapës dhe ju grigjë e dashur, të nderuara autoritete civile vendase dhe qendrore, Ju përshëndes dhe Ju falenderoj për praninë dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë kremtim – përkujtim përvjetor të të dashurit dhe të paharrueshmit tonë Imzot Lucjanit, për shpirtin e të cilit po ia drejtojmë Mirësisë së të madhit Zot, këtë Fli Hyjnore të Meshës Shenjte.
Ende sot e kësaj dite të fuqishme tingëllon në veshët tanë komunikata që u lëshua në këtë vend, para një viti, me këtë përmbajtje: “Ipeshkvia e Sapës, me shumë dhimbje njofton se në orën 1515 të datës 22. 05. 2016 në të kremten e Trinisë Shenjte, në selinë e Ipeshkvisë, i rrethuar nga kleri i tij i dashur dhe gjithë familjarët e tij, kaloi në shtëpinë e Atit, bariu i saj imzot Lucjan Avgustini.”
Ishte ky një lajm sa i pabesueshëm aq edhe tronditës, jo vetëm për ne, kolegët e tij në episkopat, për klerin e ipeshkvisë së Sapës, si edhe për familjarët, por edhe për besimtarët dhe për mbarë popullatën e gjerë, institucionet fetare e shoqërore të vendit. Thuhet se vdekja është shpendi grabitqar i jetës. Në rastin tonë, kjo thënie e ka kuptimin e plotë të fjalës. Dështëm, s’deshtëm, jeta është ecje drejt vdekjes, njeriu është udhëtar, kalimtar. Vdekja është një gjë, është një ngjarje, të cilës askush askurrë s’mund ti shmanget as ti ikë. Por për të krishterin vdekja tashmë nuk është vetëm fati i domosdoshëm i njeriut me të cilin duhet të pajtohemi, ose vetëm vendimi hyjnor të cilin duhet pranuar patjetër, ose gjykimi të cilit njeriu duhet t’i nënshtrohet për shkak të mëkatit. I krishteri “vdes për Zotin dhe në Zotin” për të cilin edhe ka jetuar, ashtu na mëson Shkrimi Shenjt”. Te lumët ata që vdesin në Zotin”, vërteton Bibla.
Vdekja e të drejtit do të thotë hyrje në botën e paqes, në pushimin e amshuar , hyrje në dritën e cila nuk ka mbarim. “Requiem aeternam dona eis Domine, et lux perpetua luceat eis”. Shpresa në pavdekshmëri dhe ringjallje e cila vërehet edhe në Besëlidhjen e Vjetër, gjenë tani në misterin e Krishtit të Ringjallur themel të sigurt dhe të qëndrueshëm. Sepse, jo vetëm me bashkimin me të dhe me vdekjen e tij, tashmë jetojmë një jetë të re, por Ai na jep një siguri, që sipas Shën Palit, Ai që e ngjalli Jezusin nga të vdekurit, do ta ngjall edhe trupin tonë të vdekshëm. Qe, pra, përse është për të krishterin fundi i fundit vdekja fitore, sepse jeta e tij është Krishti. Vdekja trupore sjell lindjen shpirtërore, do të thotë zhveshje nga petku i mjerimit që është trupi, dhe veshje me një trup të ri, “pagëzimi” të ringjallur dhe të lumtur. Në ato ditë, para një viti pra, konstatuam një gjë: edhe pas lujteve të shumta e të përzemërta të të gjithë kategorive njerëzish, e sidomos ato të fëmijëve nën dritaren e dhomës së tij para figurës së Mbretëreshës së Majit, për shëndetin dhe jetën e tij, “u pa qartë se i madhi Zot në Provaninë e tij Hyjnore e kishte vendosë ta marrë këtë lule të këndshme pranverore tek vetja në Parriz. U largua në moshën më të mirë e më të frytshme të jetës, dhe kështu u krijua një zbrazëti e pakompensueshme në aradhat tona. Monsinjori ynë i dashur ishte me të vërtetë shembull i bujarisë, mirësisë dhe dashurisë vëllazërore e meshtarake. Mungesa e tij do të jetë afatgjatë në zemrat tona. Së bashku me të gjithë ju mund të themi se jemi shumë krenar që e patëm. Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm dhe i paharruar, jo vetëm për ne këtu të pranishëm, por për të gjithë ata që e kanë njohur. Edhe pse këtë largim të hershëm të tij nga kjo jetë nuk arrijmë ta kuptojmë, prapëseprapë ne si besimtarë i pranojmë me besim të plotë planet e Zotit, që ndonjëherë nuk janë si planet tona, si na thotë vetë Perëndia në Shkrimin Shenjtë.
Sidoqoftë ne sot jemi këtu në shenjë respekti ndaj tij, si dhe në shenjë solidariteti ndaj klerit të dioqezës dhe familjarëve të tij, por të gjithë së bashku në lutje për shpirtin e madh e të ndritur të tij. Pra përzemërsisht do të lutemi për të por edhe do t’i porositemi që edhe ai nga lart të lutet për ne. “Ky bari i zellshëm që ia kushtoi tërë jetën shërbimit ndaj Zotit dhe ndaj vëllezërve, është tashmë në duart e Atit përgjithmonë.
Imzot Zef Gashi
Cetinje, maj 2017 + ZG