Fjala e Ipeshkvit

E DIELA I E ARDHJES "C"

E Diela e I e Ardhjes “C” - 29. 11. 2015

 

 

Të dashur besimtarë, sot fillojmë kohën e Ardhjes, kohë kjo në të cilën në mënyrë të posaçme përgatitemi për lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Çdo kohë liturgjike mbaron dhe fillon me mësimet mbi të vërtetat të fundit, që dmth të mbarimit të botës, kur Jezu Krishti do të vije përsëri në lumturinë e vet për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Me këtë liturgjia shenjte dëshiron të thekson për Jezu Krishti, si dje, si sot, është fillimi dhe mbarimi, të tijat janë kohët dhe shekujt.

Jezu Krishti është figura e Hyjit të Papashëm, i përlinduri i të gjitha krijesave, në të cilin u krijuan të gjitha gjërat në qiell e në tokë. Ai i jep kuptim historisë dhe kohës. Në Jezu Krishtin historia e ka pikën e fillimit dhe të mbarimit. Në Jezu Krishtin historia dhe koha bëhen plan hyjnor, histori e shëlbimit dhe lirisë shpirtërore.

Për besimtarin koha nuk është vetëm vazhdimësi e sekondave, minutave dhe orëve, por histori që drejtohet prej Zotit e jo rastësi apo fat sikurse dinë të flasin ata që nuk besojnë në Zotin, ose astrologët apo magjistarët.

Shkrimi Shenjt nuk e ve shpresën në gjërat materiale as në astrolog por në Zotin i cili “vjen mbi re me lumturi dhe fuqi të madhe”. “Ja po vijnë ditët kur do të plotësoj të mirën e premtuar të cilën ia dhashë shtëpisë së Izraelit” thotë Zoti nëpërmjet Jeremisë profet.

Në këtë kornizë të shpresës së lumtur e përditshmja e jonë edhe pse ndonjëherë e vështirë, me ngjarjet e saja të jashtëzakonshme, bëhet letërnjoftim në mozaikun e larmishëm të historisë së Shëlbimit që Hyji e ka përgatitur për të gjithë ne.

Ndërmjet dashurisë së Krishtit i cili po vjen me lindjen e tij dhe Krishtit i cili do të vjen në lumturi në mbarimin e botës, zhvillohet jeta njerëzore. Lindja e Jezu Krishtit dhe dita e gjyqit janë dy shtylla në të cilat të krishterët duhet ta ndërtojnë urën e tyre të vendimeve dhe të përgjegjësisë. Kjo kohë shenjte na i jep dy qëndrime që duhet ti ketë i krishteri dhe të zbatojmë: të jemi zgjuar dhe të lutemi.

Të jemi zgjuar është e nevojshme, që kur të lindë Jezu Krishti, të jemi të gatshëm të pranojmë misterin dhe ta udhëzojmë jetën tonë sipas saj; lutja është e nevojshme sepse vetëm nëpërmjet saj njeriut i çilet misteri i veprimtarisë hyjnore.

Shën Pali në leximin e dytë na porositë edhe dy gjëra të kohës së Ardhjes; rritja në dashuri dhe sjellja sipas dëshirës së Zotit.

Jezu Krishti na thërret që të jemi zgjuar. Çka do të thotë kjo, të jemi zgjuar? Zgjuar është ai njeri i cili i ka sytë e hapur për ngjarjet rreth tij; ai e di se kush ka nevojë, ai ndan me atë që ka nevojë, ai ka ndjeshmëri me të pikëlluarit, është i butë dhe i mëshirshëm. Ai i lutet Zotit. Kjo është të jemi zgjuar, që Zoti e kërkon prej secilit prej nesh. Duke u përgatitur për Lindjen e Jezu Krishtit atëherë të hapim zemrën dhe duart për Zotin dhe njeriun. Bota e jonë është në një gjendje të akullt dhe ka nevojë për ngrohtësinë e krishterë që të shpëton nga vetmia dhe gjendja e akullt e cila po ja merr frymën. Për këtë arsye kjo kohë duhet të jetë kohë dashurie, e faljes, pajtimit dhe mëshirës së ndërsjellët, në qoftë se dëshirojmë që në këtë tokë, rreth nesh, në familjet tona që të lindë diçka e re, “toka e re dhe qielli i ri”.

Fort të dashur, besimtarë të mi, familje e veçanërisht u drejtohem të rinjve, bota e sotme post-moderne është duke përjetuar kriza të ndryshme të mëdha. Janë duke u krijuar zbrazëtira dhe humbje vlerash njerëzore dhe në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë po rritet numri i njerëzve pa rrënjë, pa baza të sigurta e të forta për jetën.

Jemi duke jetuar në një botë globale me miliona aeropagësh dhe ndryshimesh të mëdha, të gjitha këto janë duke krijuar kriza dhe situata të reja jetësore, na shtrohet pyetja se drejt çfarë të ardhmeje duam të shkojmë? Cila duhet të jetë shoqëria e sotme dhe ajo e nesërme e jona, e familjeve tona, e popullit tonë?

Viti jubilar të cilin pas pak ditësh do ta fillojmë duhet të shërbejë për të gjetur përgjigjen se Hyji na do dhe se është i mëshirshëm me ne e na fal, por duhet të dimë edhe ne ta duamë e ta falim njëri tjetrin.

Ndihet nevoja shumë e madhe për të pasur një themel të sigurt, mbi të cilin duhet ta ndërtojmë jetën. Jeta mund të ndërtohet e lumtur dhe e shëndoshë vetëm duke u mbështetur fuqishëm me besim në shkëmbin që është Zoti! Që ta ndërtojmë jetën në shkëmb u bën thirrje Papa Françesku besimtarëve në Afrikë ku është në vizitën e tij apostolike. Mos ta ndërtojmë jetën në gjërat e kota e kalimtare por në Zotin.

E që ta realizojmë këtë, duhet të edukohemi në feta ndihmojmë njëri-tjetrin për të hyrë në një marrëdhënie të gjallë, nëpërmjet Jezu Krishtit, me Atin, në Shpirtin Shenjt.Shpesh herë takojmë njerëz të pagëzuar që nuk frekuentojnë kishën, nuk marrin pjesë në meshë ditën e diele. Ndoshta dëgjojmë  përgjigjet si arsyetim se: “I besoj Krishtit! Fenë e kam në zemër! I mbaj urdhërimet! Por, në Kishë nuk kam nevojë me shku...” Plani i Hyjit për shëlbim nuk mund të zbatohet vetëm në brenda zemrës së njeriut. Feja duhet të dëftohet konkretisht, kërkohet dëshmia dhe angazhimi publik.

Porosi shumë e rëndësishme kjo, që të kuptojmë se feja nuk është pranim i verbër i disa të vërtetave që nuk mund t’i kuptojmë me mendjen tonë, por takim i cili bëhet personal kur kremtohet, jetohet dhe lutet.

Bota ndryshon në qoftë se ndryshojnë zemrat e njerëzve, qëndrimet, adetet, mentalitetet.

Kjo kohë e ardhjes duhet të jetë për ne kohë e shenjtërimit, kohë e shpresës dhe  është thirrje të angazhohemi që ta imitojmë Zotin në shenjtëri, dhe ta ndryshojmë botën me dëshminë tonë jetësore. 

Imzot Lucjan Avgustini 

  

Letra Baritore e Imzot Lucjan Avgustinit me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës

                                                                                                  

 

                                                                                                                      

 

Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës

 

 

 

Mëshira është rruga që bashkon Hyjin me njeriun

 

 

Letër baritore drejtuar

të gjithë meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, besimtarëve dhe njerëzve vullnet mirë

me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës

 

 

 

 

 

 

 

Shumë të dashur,

si Bari i juaj, dëshiroj që nëpërmjet kësaj letre, të arrij tek të gjithë ju, me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës që të angazhohemi për të përfituar nga kjo kohë hiri të Zotit për dobinë tonë shpirtërore.

Programin për ecjen tonë shpirtërore e kam mbështetur në udhëzimet dhe nxitjet të cilat janë shpallur nga Papa Françesku në Bullën e shpalljes së Vitit Jubilar “Misericordiae Vultus”, sepse të gjithë pjesëtarët e Kishës “kemi nevojë të sodisim misterin e mëshirës, burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Mëshira është rruga që bashkon Hyjin dhe njeriun, sepse ia hap zemrën shpresës se jemi të dashur gjithmonë pa marrë parasysh kufizimin e mëkatit tonë” (krh Fytyra e Mëshirës 2).

Vitit Jubilar i Mëshirës fillon me 8 dhjetor me hapjen e Derës së Mëshirës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Pastaj në të Dielen e tretë të kohës së Ardhjes, me 13 dhjetor, hapet Dera e Mëshirës në të gjitha kishat Katedrale në mbarë botën, e pastaj edhe në ato kisha që sipas zgjedhjes së ipeshkvit caktohen si Kishë Derë e Mëshirës, vende ku besimtarët preken në zemër nga hiri i Zotit dhe e gjejnë rrugën e kthimit.

Në Dioqezën tonë, kam caktuar që Derë e Mëshirës të jenë:

-          Kisha KatedraleE lumja Nënë Tereza” në Vau Dejë;

-          Kishën e Shën Mëhillit dhe Familjes Shenjte në Karmel - Nënshat;

Në këto dy kisha, Dyer të Mëshirës, meshtarët do të jenë në dispozicion për rrëfime çdo ditë (përveç të Dielave dhe festave të urdhëruara) në oraret e caktuara dhe të shpallura për dijeni besimtarëve.

Vitin Jubilar duhet ta jetojmë në dritën e fjalës së Zotit: Të Mëshirshëm sikurse Ati - mësim që Jezu Krishti e kërkon prej nesh, «bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36). Është një program jete që duhet të na angazhojë të gjithëve. Urdhëri i Jezu Krishtit, u drejtohet atyre që e dëgjojnë zërin e tij. Prandaj, për të qenë i aftë për mëshirën e Atit, duhet të vihemi në dëgjim të Fjalës së Hyjit, për ta medituar e për ta jetuar. Vetëm në këtë mënyrë mund ta kuptojmë mëshirën e Atit e pastaj duke e bërë stil jete të dimë ta dëshmojmë në jetën tonë.

E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Për këtë dashuri, që arrin deri në faljen dhe dhurimin e vetes, Kisha bëhet shërbëtore dhe ndërmjetësuese pranë njerëzve. Prandaj, aty ku Kisha është e pranishme, aty duhet të jetë e dukshme mëshira e Atit. Në famullitë tona, në bashkësitë, në shoqatatdhe lëvizjet, me një fjalë, kudo që ka të krishterë, çdokush duhet të gjejë një oazë mëshire”(Fytyra e Mëshirës 12). 

 

Të mëshirshëm sikurse Ati - është motoja që na prinë gjatë këtij Viti. Për ta jetuar sa më mirë këtë jubile, kam programuar një rrugëtim shpirtëror së bashku me këto aktivitete:

  •          Ripërtërirja shpirtërore dhe rrëfimet - për besimtarët në të gjitha famullitë, qytete e fshatra;
  •          Katekeza - vëmendje e veçantë ti kushtohet temave të Mëshirës, Faljes, Pajtimit dhe dashurisë vëllazërore;
  •          Falja dhe pajtimi

 

 “Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Falja është një forcë që të ngjall në jetën e re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë” (Fytyra e Mëshirës 10).

Papa Françesku, bën thirrje “nëse ti nuk di të falësh, ti nuk je i krishterë. Nëse ti nuk fal, ti nuk mund të marrësh paqen e Zotit, faljen e Zotit. Falni njëri - tjetrin! Siç ju ka falur Zoti, ashtu bëni edhe ju”.

Pasi që e njoh mirë gjendjen e grigjës e cila më është besuar në kujdes shpirtëror, e kam fort për zemër që të punojmë pa u lodhur për falje dhe pajtim ndërmjet familjeve dhe personave.

Jam i vetëdijshëm se kemi situata dhe raste nga më të ndryshmet, por veçanërisht kërkoj një angazhim për pajtim në ato raste ku, për fat të keq kanë ndodhur vrasje dhe familjet janë të ngujuara apo jetojnë me dëshirë hakmarrjeje. Një mënyrë e tillë e të jetuarit nuk është në përkim me Zotin dhe Ungjillin e Krishtit. Të jetuarit në urrejtje, në inat dhe me dëshirë për t’u hakmarrë i shërben rritjes së të keqes, i shërben djallit.

Prandaj dëshiroj dhe bëj thirrje që të gjithë, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë të punojmë pa u lodhur për ta përhapur mësimin dhe vullnetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, që të jetojmë në paqe e pajtim.

Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë…  Falja është mjeti që kemi në duart tona për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur” (Fytyra e Mëshirës 9).

Do të krijohet një grup i përbërë prej besimtarëve, meshtarëve në krye me ipeshkvin dhe që ka për qëllim realizimin e faljes dhe pajtimin ndërmjet familjeve apo individëve. Kush nuk e pranon vullnetin dhe angazhimin e Kishës për falje e pajtim,ai e kundërshton Zotin dhe nuk e pranon paqen e tij për të jetuar në lumturinë që Ati i mëshirshëm na e dhuron.

 

 

  •          Veprat e mëshirshme të trupit dhe të shpirtit

 

Të gjithëbesimtarët dhe njerëzit vullnetmirë janë të thirrur të kujdesen për plagët e atyre njerëzve që jetojnë në periferi të vendeve tona. Të dimë t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjet me vajin e ngushëllimit, t’ua lidhim plagët me mëshirën tonë dhe ti shërojmë me solidaritetin dhe vëmendjen e nevojshme. (krh. Fytyra e Mëshirës 15).

Për këtë dëshiroj që Caritasi dioqezan të angazhohet për t’i sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar besimtarët për rritjen e dashurisë vëllazërore, duke pasur shembull punën dhe dashurinë e pajtores së kishës Katedrale të dioqezës sonë të Sapës, të Lumen Nënë Tereza si dhe fjalët e Shën Gjonit të Kryqit se: “Në mbarimin e jetës, do të gjykohemi në bazë të veprave të dashurisë”.

Caritasi dioqezan, duhet që në forma të ndryshme, qoftë me fuqi të veta, qoftë me ndihmën e bamirësve të kishave motra nga vendet e ndryshme, me ndihma konkrete t’u qëndrojë afër familjeve të cilat jetojnë në varfëri ekstreme.

Shtëpia e Bamirësisë në Vau - Dejës, që ka në kujdes personat e moshuar dhe personat me aftësi ndryshe;

Qendra Papa Gjoni XXIIInë Nënshat që ka në kujdes personat që kurohen prej varësive të drogës; 

Duhet që të jenë vende mësimi dhe edukimi të dashurisë në vepër për të gjithë, posaçe për të rinjtë. Në këto dy qendra, nëpërmjet famullitarëve dhe personave përgjegjës, duhet të organizohet shërbimi vullnetarë dhe ushtrimi i dashurisë vëllazërore.

  •          Festa e Zojës së Lurdit, 11 shkurt 2016 - do të kremtohet Jubileu i të sëmurëve dhe punëtorëve shëndetësor. Në këtë ditë në shenjë solidariteti dhe kujdesi për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit, organizohet dhurimi vullnetar i gjakut për shpëtimin e jetës.

 

  •          Festa e Mëshirës Hyjnore

 

Për ta jetuar në plotësi mëshirën e Atit që na është dëftuar nëpërmjet Birit që e ka dërguar në mesin tonë, Jezu Krishtit, kam caktuar që me 2 prill 2016 në vigjiljen e kësaj feste  të organizohet një kremtim i gjithmbarshëm dioqezan në Dragushë, kisha e së cilës i kushtohet Mëshirës Hyjnore. Dëshiroj që gjatë këtij kremtimi të japim dëshminë e faljes dhe mëshirës duke u pajtuar me Zotin dhe njëri - tjetrin.

E kam fort për zemër realizimin e një shtegtimi në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe një audiencë me Papa Françeskun. 

 

  •          Shtegtimi dhe ndjesa jubilare

 

Në kishat të shpallura Dyer të Mëshirës, në formë të grupeve apo individualisht duhet të organizohen shtegtime të cilat janë shenjë e ecjes sonë në realizimin e qëllimit. Shtegtimi është  nxitje për kthimin e zemrave tona kah Zoti për ta përjetuar mëshirën dhe për t’u angazhuar për të qenë të mëshirshëm me të tjerët sikurse Ati është me ne. (krh Fytyra e Mëshirës 14)

Ndjesa jubilare, duhet të jetë për secilin përvojë e vërtetë e mëshirës së Zotit. “Pavarësisht faljes, në jetën tonë mbartim kontradiktat që janë pasojë e mëkateve tona. Në sakramentin e Pajtimit Hyji i fal mëkatet, që me të vërtetë janë shlyer; e megjithatë, gjurma negative që mëkatet tona kanë lënë në sjelljet tona dhe në mendimet tona mbetet. Por mëshira e Hyjit është më e fortë edhe se kjo. Ajo bëhet ndjesë e Atit… Ndjesë do të thotë të provosh shenjtërinë e Kishës... me qëllim që falja të shtrihet deri në pasojat më ekstreme ku arrin dashuria e Hyjit.” (Fytyra e Mëshirës 22)

 

Kush mund ta fitojë ndjesën dhe si?

 

Secili që bën një shtegtim, duke kapërcyer “Derën e Mëshirës”, e hapur në çdo katedrale ose kishë të caktuar me vendim të ipeshkvit dioqezan, si dhe në katër Bazilikat papnore në Romë, pasi të pendohet për mëkatet, rrëfehet, merr pjesë në meshë, kungohet, bën dëshminë e fesë me lutjen e Besojmës dhe lutet sipas njetit të Papës, fiton ndjesën jubilare për mëkate;

 

Të moshuarit dhe të sëmurët duhet që ta pranojnë dhe jetojnë sëmundjen dhe vuajtjen si përvojë e afërsisë me Zotin. Pasi të rrëfehen dhe marrin kungimin me pjesëmarrje në meshë apo edhe duke e përcjellë nëpërmjet radios, TV, si dhe nëpërmjet lutjes së bashkësisë;

 

Ndjesa mund të fitohet edhe për të vdekur, në qoftë se ne i kujtojmë me shtegtim, rrëfehemi dhe marrim pjesë në meshën shenjte dhe lutemi për shpirtrat e tyre.

 

Duke pasur parasysh dramën e mëkatit të abortit, Papa Françesku u jep të gjithë meshtarëve të drejtën për ti zgjidhur prej kësaj censure, të gjithë ata që kanë ra në ndëshkim me këtë mëkat.

Kush bie në censurën e mëkatit të abortit? Personi që me vullnet të lirë dhe me dije e kryen veprën e abortit; personi që e detyron për të kryer veprën e abortit (bën presion fizik apopsikik); personi që asiston në kryerjen e veprës; ai që, e ka ditur dhe nuk e ka penguar së paku me këshillë por e ka përkrahur në kryerjen e veprës së abortit.

Këta, në qoftë se me zemër thellësisht të penduar, lypin falje dhe rrëfehen, meshtarët mund t’iu japin zgjidhjen prej mëkatit të abortit. Meshtarët duhet të përgatiten për këtë detyrë të madhe e t’i ndihmojnë pendestarët me ndonjë reflektim për të kuptuar mëkatin e kryer, për të kuptuar se aborti është akt kundër jetës, pra është vrasje. Duhet të ndihmohen të penduarit në rrugën e kthimit për ta kuptuar faljen dhe mëshirën e Atit.

Për të fituar ndjesën jubilare të mëkateve na ndihmojnë edhe veprat e mëshirshme të trupit e të shpirtit duke i kushtuar kujdes dhe dashuri atyre që kanë nevojë për ndihmën dhe kujdesin tonë.

Të gjithë besimtarët jemi të thirrur që “ta vendosim në qendër me bindje sakramentin e Pajtimit, sepse mundëson të prekim me dorë madhësinë e mëshirës. Për çdo të penduar do të jetë burim i vërtetë paqeje të brendshme”. (Fytyra e Mëshirës 17)

Një thirrje e veçantë është për ata persona “që janë larg hirit të Hyjit për shkak të mënyrës së tyre të jetesës. Për të mirën  tuaj, ju kërkoj të ndryshoni jetë.

Meshtarëve u kërkohet që të jenë “shenjë e vërtetë e mëshirës së Atit. Të mos harrojmë kurrë, se të jemi rrëfyestar do të thotë të marrim pjesë në misionin e Jezu Krishtit e të jemi shenjë konkrete e vazhdimësisë së një dashurie hyjnore që fal dhe shpëton”. (Fytyra e Mëshirës 19)

Do të kemi edhe kremtime të tjera jubilare dioqezane në të gjitha fushat e veprimtarisë baritore, që do të caktohen gjatë ecjes sonë. Hyji Atë “kurrë nuk lodhet duke na hapur derën e zemrës së tij për të përsëritur se na do dhe dëshiron ta bashkëndajë me ne jetën e vet. Çdo herë që çdokush do të ketë nevojë, mund ta ketë atë, sepse mëshira e Hyjit është e pakufi” (Fytyra e Mëshirës 25).

 

Viti jubilar do të mbyllet në dioqezën e Sapës të dielën e XXXIII gjatë Vitit, që do të thotë me datë 13 nëntor 2016.

 

E lumja Nënë Tereza e cila dëshmoi për dashurinë e Hyjit, le të ndërmjetësojë për të gjithë ne.

Virgjëra Mari, Nëna e Mëshirës le të jetë ndihma e jonë për ta jetuar sa më mirë këtë Vit Jubilar të Mëshirës.

 

Duke uruar që ta përjetojmë mëshirën e Atit dhe të jemi të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit, Ju bekoj të gjithëve.

 

 

+ Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës

Vau-Dejës, 30.11.2015

E diela e IV ardhjes IV

Jemi krejt afër festës së lindjes të Zotit tonë Jezu Krishtit. Besoj se këtë kohë të shenjtë të Ardhjes, e kemi kaluar në lutje e uratë, duke iu kushtuar Zotit, dhe me vepra të mëshirshme dhe bamirësie, duke u përgatitur që sa më mirë ta presim ardhjen e Birit të Zotit në botë, tek ne njerëzit.

Kisha na thërret që ta gjejmë mënyrën për tu takuar me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Zotin i cili merr natyrën tonë njerëzore dhe vjen në historinë tonë, në njërën anë, për të na ofruar veten, jetën e tij Hyjnore, të vërtetën e dashurinë dhe në anën tjetër për të na çliruar nga robërimi i mëkatit dhe nga vdekja e përjetshme.

Më shumë

E diela e III E ardhjes “B”

Sot kremtojmë të dielën e tretë të Ardhjes, apo të dielën “GAUDETE”- e “GËZIMIT”. Pra, kjo e diel “Gaudete” na urdhëron të gëzohemi e të galdojmë në Zotin. “Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit” këto fjalë të Isaisë profet, në leximin e parë që e dëgjuam i përshtaten plotësisht kësaj të diele në këtë kohë shenjte të ardhjes sepse po i afrohemi festës më të gëzuar të vitit, që është lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Profeti Isaia këndon misionin e Mesisë, që është kumtimi i lajmit të mirë për të varfrit, për ata që e kanë zemrën e copëtuar, për robërit, që zakonisht dëgjojnë vetëm lajme të këqija. Ai është i thirrur për të shëruar plagët, për të shpallur faljen dhe çlirimin për të burgosurit. Me një fjalë Mesia fillon një kohë hiri të Hyjit, ai realizon një botë të drejtë, sipas vullnetit të Hyjit.

Më shumë

E diela e I ardhjes Viti “B”

Koha e Ardhjes na bën të kuptojmë se presim një person të caktuar i cili po vjen. Në anën tjetër, personi i cili pret është në dijeni për personin në udhëtim dhe, e pret. Pra, thënë shkurt, dikush vjen e dikush pret.

Ai që vjen është Jezu Krishti Zot, ndërsa ai qe pret jam unë, je ti.  Zoti ynë, vjen mes nesh, vjen i ngjashëm me ne, vjen për ne. Ardhja dhe pritja, takimi i tyre bëjnë bashkimin. Vjen Krishti, ne e presim dhe, më të takuar Atë ne bashkohemi dhe jetojmë një jetë ndryshe.

Më shumë