E diela e IV ardhjes IV

Jemi krejt afër festës së lindjes të Zotit tonë Jezu Krishtit. Besoj se këtë kohë të shenjtë të Ardhjes, e kemi kaluar në lutje e uratë, duke iu kushtuar Zotit, dhe me vepra të mëshirshme dhe bamirësie, duke u përgatitur që sa më mirë ta presim ardhjen e Birit të Zotit në botë, tek ne njerëzit.

Kisha na thërret që ta gjejmë mënyrën për tu takuar me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Zotin i cili merr natyrën tonë njerëzore dhe vjen në historinë tonë, në njërën anë, për të na ofruar veten, jetën e tij Hyjnore, të vërtetën e dashurinë dhe në anën tjetër për të na çliruar nga robërimi i mëkatit dhe nga vdekja e përjetshme.

Nëse i kemi dëgjuar me vëmendje leximet e kësaj së diele të katërt të Ardhjes, Zoti na udhëheq në zbërthimin e kuptimit të domethënies së thellë të Misterit të Lindjes së Krishtit.

Leximi i parë i prej librit të dytë të Samuelit na e paraqet si temë kryesore se “Zoti është me ne”, duke e ngritur një pinjoll nga shtëpia e Davidit i cili do të mbretërojë për amshim. Ky është Biri i Zotit – Jezu Krishti, Ai mbretëron për amshim. Jezu Krishti dje, sot e në shekuj.

Letra e Shën Palit apostull drejtuar romakëve në pak rreshta që na e paraqet Kisha në përgatitjen tonë për festën e Lindjes së Krishtit  na tregon se Jezu Krishti i shpallur me anë të shkrimeve dhe profetëve është lajmëruar. Por vetëm me besim (fe) mund ta njohim këtë lajmë, dhe vetëm nëpërmjet emrit të Tij mund ti jap nderim dhe lavdi Hyjit të Gjithëpushtetshëm.

Njerëzit nuk shëlbojnë, por Zoti është Ai i cili shëlbon. Shëlbimi është gjithmonë në mesin tonë, nëse Zoti është me ne dhe ne me besim e jetojmë dhe dëshmojmë atë.

Ungjilli i kësaj së diele na e paraqet lindjen e Jezu Krishtit në mënyre historike. Zoti është në vepër. Ai u dërgon njerëzve lajmëtarin e vetë. Ky lajmëtar, engjëlli i Zotit jep lajmin e Shëlbimit. Kjo tregohet në emrin e fëmiut, i cili do të ngjizet në kraharorin e Virgjërës.

Emri Jezus interpretohet në ungjill si Shëlbues dhe Ai është Shëlbues i mbarë njerëzimit. Emri Krisht në Izrael do të thotë i shuguruari i Zotit. Në fëmiun Jezus do të plotësohen të gjitha premtimet.

Kur ne lusim lutjen e “Engjëllit  Tënzot” me të cilën duhet të fillojë dhe të përfundojë dita, themi: “Hirin tënd po të lutemi, o Zot mendjes sonë ndikoja që sikurse prej Engjëllit lajmërues njoftëm të mishëruarit e Krishtit tënd Bir…”. Kjo lutja e përditshme është si lajmi i gëzueshëm prej ungjillit që e dëgjuam. Edhe sot e sjell engjëlli lajmin e gëzueshëm, edhe sot është nxënë Jezu Krishti në kraharorin e Virgjërës Mari, për virtyt të Shpirtit Shenjt, edhe sot thotë Virgjëra Mari, qe, unë jam shërbëtorja e Zotit, e thotë pëlqimin (FIAT) e vetë, sot u bë fjala njeri, sot banon Zoti në ne.

Edhe ne duhet ta dëgjojmë zërin e Zotit dhe t´i themi „po“ të sotmes së Zotit në ne dhe në botën mbarë.  Virgjëra Mari ngjizi Jezusin në zemër të vetë prej fesë (besimit) së gjallë dhe kështu pastaj në kraharorin e vet të shenjt. Edhe ne duhet me fe të jemi ata që e qojmë te të tjerët Zotin, në jetën, afërsinë e të tjerëve.

Sot, në kohën tonë të shekullarizuar dhe materializuar, Zoti shpesh mohohet, apo bëhen përpjekje për ta mbyllur dikund. Njeriu ndjehet i ‘gjithëpushtetshëm’ e më vështirësi e njeh, e dallon, e kupton praninë e Zotit. Edhe para problemit të së keqes: njeriu nuk i lutët Zotit Shpëtimtar, por mbyllet edhe më tepër në vete, në perspektiven e tmerrshme të mohimit të Zotit.

Fjala e Zotit e kësaj të diele na thërret edhe një herë ta pranojmë mesazhin e shpëtimit me zemër të vendosur e vullnet të gatshëm ndaj çdo thirrje që Zoti na drejton. E Krishtlindja është rast për pastrimin dhe përforcimin e fesë sonë në Zotin, sikur na ndihmojnë tre personazhet të cilët na i ka paraqit Kisha gjatë gjithë kësaj kohe shenjte:

  • Izaia, profeti i largët, i cili ka jetuar 7 shekuj para Jezu Krishtit, të cilin e paralajmëronte e kumtonte me gëzim e paqe lajmin e pranisë së Zotit;
  • Gjon Pagëzuesi, profeti i afërt që ishte dëshmitar i ardhjes së Mesisë dëshmon se ai nuk është drita, kështu thotë se Jezusi është “ drita e vërtetë që vjen në botë”.
  • Virgjëra Mari e cila e barti në kraharor Shëlbuesin dhe e solli në mesin tonë.

Të mësojmë se si duhet dëgjuar, pranuar e mishëruar në jetën e përditshme Zoti i cili vjen të ndriçon dhe shëlbon çdo njeri.