E diela e III E ardhjes “B”

Sot kremtojmë të dielën e tretë të Ardhjes, apo të dielën “GAUDETE”- e “GËZIMIT”. Pra, kjo e diel “Gaudete” na urdhëron të gëzohemi e të galdojmë në Zotin. “Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit” këto fjalë të Isaisë profet, në leximin e parë që e dëgjuam i përshtaten plotësisht kësaj të diele në këtë kohë shenjte të ardhjes sepse po i afrohemi festës më të gëzuar të vitit, që është lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Profeti Isaia këndon misionin e Mesisë, që është kumtimi i lajmit të mirë për të varfrit, për ata që e kanë zemrën e copëtuar, për robërit, që zakonisht dëgjojnë vetëm lajme të këqija. Ai është i thirrur për të shëruar plagët, për të shpallur faljen dhe çlirimin për të burgosurit. Me një fjalë Mesia fillon një kohë hiri të Hyjit, ai realizon një botë të drejtë, sipas vullnetit të Hyjit.

Shën Pali apostull në leximin e dytë na fton që të gëzohemi në Hyjin. Lutuni pa pushim, për gjithçka falënderoni Hyjin. Çdo i krishterë ka shumë arsye që të jetë i lumtur e të gëzohet në çdo kohë. Nuk ka lumturi dhe gëzim më të madh se sa t’i shërbesh Zotit dhe të jesh i vetëdijshëm se Hyji është Ati i ynë, i cili është afër nesh, na ndihmon, na mbron me dashurinë dhe kujdesin e tij atëror.

Vëllezër dhe motra, a nuk kemi arsye që të gëzohemi dhe të jemi të lumtur, kur e shohim rreth vetes krijimin, kur i shohim mrekullitë e tija krijuese, kur e përjetojmë mirësinë dhe dashurinë e tij me falje e bekime, edhe pse njeriu me jetën e mëkatet e tija nuk e meriton? Të shikojmë vetëm të kryqëzuarin, ti shohim duart e këmbët e tija të shporuara, ta shohim zemrën e shporuar e të hapur të Birit të Hyjit, sa dashuri e madhe që na është dëftuar! E përse, për shëlbimin tonë.

Të ndalemi pak dhe të mendojmë për sakramentin e rrëfimit, ku Ati ynë i mirë është gjithmonë i gatshëm të na përqafojë e të na falë.

Të shohim të shenjtërueshmin sakrament, Kungimin, Korpin që na e dhuron është një dashuri e pakufishme e Jezu Krishtit për ne. E kështu kishim me radhitë shumë çka, se përse kemi arsye të gëzojmë dhe të galdojmë në Hyjin, Shëlbuesin tonë. Në ungjill, Gjon Pagëzuesi na mëson se si duhet të përulemi, ai shpallë publikisht se nuk është drita, por erdhi për të dëshmuar dritën. Ai është një zë, zë që shpall shpresën mesianike në ecje. Ai është për të ndihmuar kuptimin e fuqisë së Hyjit që vepron në fshehtësi të zemrave. Shën Augustini thotë : Gjoni është zëri, Krishti është Fjala. Gjoni është zëri, që kalon, Krishti është Fjala e amshuar, që ishte në fillim. Nëse i heq fjalën zërit, çfarë mbetet? Aty ku nuk ka një përmbajtje të kuptueshme, çfarë mbetet është thjesht një tingull i vagët. Zëri pa fjalën prek dëgjimin, por nuk e ndreq zemrën. Krishti, Mesia dëshiron t’i përmirësojë zemrat tona. Ky është misioni edhe i të krishterit, që na e mëson Gjon Pagëzuesi: t’u tregojë të tjerëve se kush është Shëlbuesi. Isaia, Gjon Pagëzuesi, Pali apostull, na tregojnë drejtimin dhe na mësojnë si të jemi “dëshmitarë”. Si e jetojmë përditshmërinë e jetës sonë? A e shpall jeta jonë Dritën që ndriçon jetën? Dashurinë që bëhet afërsi dhe kujdes për më të varfrit e më të vegjlit? Të bëhemi dëshmitarë të Shëlbuesit, Krishtit Zot mund të realizohet në forma të ndryshme. E ja një prej mundësive që na mundësohet në ditën e sotme, kur ne Ipeshkvijtë e Shqipërisë e kemi caktuar këtë të diele për ditën e bamirësisë, ditën e Caritasit kombëtar. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë të kemi zemër për më të varfërit në mesin tonë. T’i kemi sytë e zemrën e hapur për ata që kanë nevojë. Një familje njerëzore, ushqim për të gjithë, është thirrja që na fton në këtë vit që të jemi më të kujdesshëm për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe dashurinë tonë. E dimë mirë se i gjithë populli i ynë ka vështirësi të mëdha ekonomike. Por, sikurse na mëson, e lumja Nënë Tereza, duhet të dimë ta njohim Kalkutën në vendin tonë, në rrugët e qytetit tonë, sepse ka persona që jetojnë në një varfëri edhe më të madhe se ne. Feja në vepër është dashuri. Dashuria në vepër është shërbim janë fjalët e saja.

Caritasi apo bamirësia përfshin shumë më tepër, se sa dhënia e ndihmave, sidomos kur ka të bëjë me edukimin e shpirtit njerëzor në solidaritet dhe kujdes ndaj të tjerëve. Ja, vëllezërit e mi e motrat e mia rruga se si mundemi të përgatitemi sa më mirë për Ardhjen e Krishtit, ja mënyra se si duhet, që ne që quhemi të krishterë, të jetojmë dhe të jemi dëshmitarë të Krishtit, me dashuri dhe kujdes për ata që kanë nevojë, kjo është dëshmia e jonë. Të mundohemi, vëllezër e motra, që këtë kohë të përgatitjes t’a përjetojmë në mënyrë që t`a presim Krishtin me zemër të pastër. “Nëse i bëjmë zemrat tona të përgatitura për pranimin e Zotërisë, duhet të mësojmë, që ta njohim në ngjarjet e jetës së përditshme, në të cilat është i pranishëm. Koha e Ardhjes është e ashtuquajtur një stërvitje e mirë, që pa dyshim na drejton ka ai që ka ardhur, që do të vijë dhe që përherë është në ardhje” (Gjon Pali II).

Të jetojmë kështu këtë kohë dhe do ta gjejmë gëzimin e vërtetë që është Krishti Zot. Amen!