E diela e I ardhjes Viti “B”

Koha e Ardhjes na bën të kuptojmë se presim një person të caktuar i cili po vjen. Në anën tjetër, personi i cili pret është në dijeni për personin në udhëtim dhe, e pret. Pra, thënë shkurt, dikush vjen e dikush pret.

Ai që vjen është Jezu Krishti Zot, ndërsa ai qe pret jam unë, je ti.  Zoti ynë, vjen mes nesh, vjen i ngjashëm me ne, vjen për ne. Ardhja dhe pritja, takimi i tyre bëjnë bashkimin. Vjen Krishti, ne e presim dhe, më të takuar Atë ne bashkohemi dhe jetojmë një jetë ndryshe.

Lidhja e njeriut besimtar që pret Hyjin dhe, Hyji që vjen të takohet-bashkohet me njeriun, krijon një rrugë të re me jetë të re, përplot dritë, mirësi dhe hire. Aftësia dhe gatishmëria e njeriut për ta pritur Hyjin, ta njoh Hyjin dhe të bashkohet me Të, për rritje të fesë, forcim të shpresës dhe jetësim të dashurisë është koha e ARDHJES.

Sa bukur e paraqet gjendjen tonë Isaia profet në leximin e parë: Ti o Zot je Ati ynë, shpëtimtari ynë, i amshueshëm është emri yt. Pse na bën të endemi o Zot larg prej udhëve të tua… na ngurtësove zemrën. Ti u hidhërove sepse mëkatuam.

Koha në të cilën jetojmë, na kujton kohën e kullës së Babelit. Sepse njeriu jeton pa Hyjin dhe pa dritën dhe porosinë hyjnore për njeriun.

Zoti vjen që të na ndihmon. Gjatë kësaj kohe të Ardhjes, Gjon Pagëzuesi vazhdon të thërret në shkretëtirën e zemrave njerëzore: Përgatitjani rrugën Zotit. Kush e dëgjon apo sa e dëgjojmë këtë thirrje?!

Unë vij, thotë Zoti. Po, Zoti ynë, po vjen, Zoti dhe Shëlbuesi ynë. Vjen, Krishti Zot, tani është koha e volitshme, është afër, mundësoja ardhjen në zemrën tënde.

Shën Pali thotë “Në Krishtin ju u bëtë të pasur në gjithçka”. Krishti është pasuria e jonë e vërtetë. Fjala e Zotit u bë njeri…. Krishti vetëm na pasuron me ardhjen e tij në zemrat tona. Nuk merr asgjë, na pasuron, prandaj duhet që të jemi të gatshëm, të zgjuar të ja hapim zemrën.

Në këtë, pritje dhe përgatitje të zemrës për takim me Zotin duhet të dimë të dallojmë dy gjëra. Lidhja e Zotit me njeriun, dhe e dyta: lidhja e njeriut me njeriun nën dritën hyjnore. Lidhja e dytë është pasqyrë e denjë e të parës. Takimi dhe bashkimi mes Hyjit dhe njeriut, hapë për njeriun, kuptime të reja me pamje të reja për të kuptuar më mirë jetën me Hyjin dhe jetën me njeriun.

Bashkimi jep kuptim të plotë pritjes dhe e bënë edhe më të fortë besimin tonë. Koha e ardhjes na thërret në bashkim. Na thërret t`i përgatisim rrugën Zotit.

Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast… që të mos na gjejë të fjetur kur të vijë… Në gjumë shpirtëror na vendos mëkati, ftohja për të jetuar në lutje, për jetë sakramentale, për të marrë pjesë në meshë…

Të përgatitemi, pra se Ai po vjen dhe t´i shërbejmë atij me zëmër të pastër kur ai të mbërrin në mesin tonë. Ti kushtohemi kësaj kohe me tërë veten tonë. Të jemi ata punëtorë që e përgatisim rrugën, të rrimë zgjuar që Ai kur të vjen mos të na gjejë në gjumë.