E DIELA I E ARDHJES "C"

E Diela e I e Ardhjes “C” - 29. 11. 2015

 

 

Të dashur besimtarë, sot fillojmë kohën e Ardhjes, kohë kjo në të cilën në mënyrë të posaçme përgatitemi për lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Çdo kohë liturgjike mbaron dhe fillon me mësimet mbi të vërtetat të fundit, që dmth të mbarimit të botës, kur Jezu Krishti do të vije përsëri në lumturinë e vet për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Me këtë liturgjia shenjte dëshiron të thekson për Jezu Krishti, si dje, si sot, është fillimi dhe mbarimi, të tijat janë kohët dhe shekujt.

Jezu Krishti është figura e Hyjit të Papashëm, i përlinduri i të gjitha krijesave, në të cilin u krijuan të gjitha gjërat në qiell e në tokë. Ai i jep kuptim historisë dhe kohës. Në Jezu Krishtin historia e ka pikën e fillimit dhe të mbarimit. Në Jezu Krishtin historia dhe koha bëhen plan hyjnor, histori e shëlbimit dhe lirisë shpirtërore.

Për besimtarin koha nuk është vetëm vazhdimësi e sekondave, minutave dhe orëve, por histori që drejtohet prej Zotit e jo rastësi apo fat sikurse dinë të flasin ata që nuk besojnë në Zotin, ose astrologët apo magjistarët.

Shkrimi Shenjt nuk e ve shpresën në gjërat materiale as në astrolog por në Zotin i cili “vjen mbi re me lumturi dhe fuqi të madhe”. “Ja po vijnë ditët kur do të plotësoj të mirën e premtuar të cilën ia dhashë shtëpisë së Izraelit” thotë Zoti nëpërmjet Jeremisë profet.

Në këtë kornizë të shpresës së lumtur e përditshmja e jonë edhe pse ndonjëherë e vështirë, me ngjarjet e saja të jashtëzakonshme, bëhet letërnjoftim në mozaikun e larmishëm të historisë së Shëlbimit që Hyji e ka përgatitur për të gjithë ne.

Ndërmjet dashurisë së Krishtit i cili po vjen me lindjen e tij dhe Krishtit i cili do të vjen në lumturi në mbarimin e botës, zhvillohet jeta njerëzore. Lindja e Jezu Krishtit dhe dita e gjyqit janë dy shtylla në të cilat të krishterët duhet ta ndërtojnë urën e tyre të vendimeve dhe të përgjegjësisë. Kjo kohë shenjte na i jep dy qëndrime që duhet ti ketë i krishteri dhe të zbatojmë: të jemi zgjuar dhe të lutemi.

Të jemi zgjuar është e nevojshme, që kur të lindë Jezu Krishti, të jemi të gatshëm të pranojmë misterin dhe ta udhëzojmë jetën tonë sipas saj; lutja është e nevojshme sepse vetëm nëpërmjet saj njeriut i çilet misteri i veprimtarisë hyjnore.

Shën Pali në leximin e dytë na porositë edhe dy gjëra të kohës së Ardhjes; rritja në dashuri dhe sjellja sipas dëshirës së Zotit.

Jezu Krishti na thërret që të jemi zgjuar. Çka do të thotë kjo, të jemi zgjuar? Zgjuar është ai njeri i cili i ka sytë e hapur për ngjarjet rreth tij; ai e di se kush ka nevojë, ai ndan me atë që ka nevojë, ai ka ndjeshmëri me të pikëlluarit, është i butë dhe i mëshirshëm. Ai i lutet Zotit. Kjo është të jemi zgjuar, që Zoti e kërkon prej secilit prej nesh. Duke u përgatitur për Lindjen e Jezu Krishtit atëherë të hapim zemrën dhe duart për Zotin dhe njeriun. Bota e jonë është në një gjendje të akullt dhe ka nevojë për ngrohtësinë e krishterë që të shpëton nga vetmia dhe gjendja e akullt e cila po ja merr frymën. Për këtë arsye kjo kohë duhet të jetë kohë dashurie, e faljes, pajtimit dhe mëshirës së ndërsjellët, në qoftë se dëshirojmë që në këtë tokë, rreth nesh, në familjet tona që të lindë diçka e re, “toka e re dhe qielli i ri”.

Fort të dashur, besimtarë të mi, familje e veçanërisht u drejtohem të rinjve, bota e sotme post-moderne është duke përjetuar kriza të ndryshme të mëdha. Janë duke u krijuar zbrazëtira dhe humbje vlerash njerëzore dhe në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë po rritet numri i njerëzve pa rrënjë, pa baza të sigurta e të forta për jetën.

Jemi duke jetuar në një botë globale me miliona aeropagësh dhe ndryshimesh të mëdha, të gjitha këto janë duke krijuar kriza dhe situata të reja jetësore, na shtrohet pyetja se drejt çfarë të ardhmeje duam të shkojmë? Cila duhet të jetë shoqëria e sotme dhe ajo e nesërme e jona, e familjeve tona, e popullit tonë?

Viti jubilar të cilin pas pak ditësh do ta fillojmë duhet të shërbejë për të gjetur përgjigjen se Hyji na do dhe se është i mëshirshëm me ne e na fal, por duhet të dimë edhe ne ta duamë e ta falim njëri tjetrin.

Ndihet nevoja shumë e madhe për të pasur një themel të sigurt, mbi të cilin duhet ta ndërtojmë jetën. Jeta mund të ndërtohet e lumtur dhe e shëndoshë vetëm duke u mbështetur fuqishëm me besim në shkëmbin që është Zoti! Që ta ndërtojmë jetën në shkëmb u bën thirrje Papa Françesku besimtarëve në Afrikë ku është në vizitën e tij apostolike. Mos ta ndërtojmë jetën në gjërat e kota e kalimtare por në Zotin.

E që ta realizojmë këtë, duhet të edukohemi në feta ndihmojmë njëri-tjetrin për të hyrë në një marrëdhënie të gjallë, nëpërmjet Jezu Krishtit, me Atin, në Shpirtin Shenjt.Shpesh herë takojmë njerëz të pagëzuar që nuk frekuentojnë kishën, nuk marrin pjesë në meshë ditën e diele. Ndoshta dëgjojmë  përgjigjet si arsyetim se: “I besoj Krishtit! Fenë e kam në zemër! I mbaj urdhërimet! Por, në Kishë nuk kam nevojë me shku...” Plani i Hyjit për shëlbim nuk mund të zbatohet vetëm në brenda zemrës së njeriut. Feja duhet të dëftohet konkretisht, kërkohet dëshmia dhe angazhimi publik.

Porosi shumë e rëndësishme kjo, që të kuptojmë se feja nuk është pranim i verbër i disa të vërtetave që nuk mund t’i kuptojmë me mendjen tonë, por takim i cili bëhet personal kur kremtohet, jetohet dhe lutet.

Bota ndryshon në qoftë se ndryshojnë zemrat e njerëzve, qëndrimet, adetet, mentalitetet.

Kjo kohë e ardhjes duhet të jetë për ne kohë e shenjtërimit, kohë e shpresës dhe  është thirrje të angazhohemi që ta imitojmë Zotin në shenjtëri, dhe ta ndryshojmë botën me dëshminë tonë jetësore. 

Imzot Lucjan Avgustini