Motrat Karmelitane Nenshat

Motrat Karmelitane Nenshat

OCD – ORDO CARMELITARUM DISCALCEATORUM
 VËLLEZERIT E MOTRAT E ZBATHURA TË RREGULLIT TË SË LUMËS
VIRGJËR MARI TË MALIT KARMEL


Karmeli është rregull i Marisë i themeluar në Palestinë, në shek. XII. Aty janë bashkuar murgjërit në një kapelë, të cilën ia kanë kushtuar të Lumes Virgjërës Mari. Për këtë edhe Rregulli quhet ”Rregulli i së Lumes Virgjërës Mari të malit Karmel”.  “Karmeli” do të thotë kopsht i lulëzuar dhe është vendi më i bukur në Izrael dhe vend i përshtatshëm për lutje e meditim (soditje). Në këtë mal jetonte profeti Elia në shek. IX. Para Krishtit. Karmeli është i përhapur në Europë në shek. XIII. Rregullin e ka ripërtërirë Sh. Tereza e Avilës (1515-1582) dhe Sh. Gjoni i Kryqit (1542-1591). Sot në mbarë botën ka 775 kuvende të motrave të klauzurës dhe 556 kuvende të vëllezërve karmelitanë. Në thirrjen e Mons. Dodë Gjergjit, motrat karmelitane erdhën më 21.5. 2003. edhe në Shqipëri, prej 3 karmeleve të Kroacisë, në vendin e vogël Nënshat. Këtu, në themelet e ipeshkëvisë së vjetër të Sapës, nën udhëheqjen e Mons. Dodë Gjergjit dhe me ndihmen e shumë bamirësave është i ndertuar karmeli. Me mbylljen solemne të klauzures më 29.9.2003. kanonikisht është themeluar karmeli i parë në Shqipëri  me titull: Karmeli i Familjes së Shenjte dhe i shen Mëhillit. Prej atëherë motrat karmelitane ditë e natë e ofrojnë jetën e vet të lutjes – miqësisë shpirtërore me Jezusin – për Kishen në Shqipëri, në veçanti për vëllezerit meshtarë, dhe për të gjithë njerëzit e kohës sonë.

 

Thirja e Jonë: Lutja

Lutja është jeta dhe thirrja e karmelitanes. E lutja nuk është tjetër, përveç se “ bisedë miqësore, shpeshherë vetëm për vetëm, me Atë me të cilin e dimë se na do“. Kurse zemra e Rregullës është “ të sodisë natë e ditë ligjin e Zotit dhe të vigjilojë në lutje.“
“Soditja dhe lutja nuk mbarojnë vetëm me pjesëmarrjen në orët e caktuara të lutjes. Përkundrazi, lutja përshkon tërë jetën e karmelitaneve të zbathura. Kështu ato ecin në praninë e Hyjit të gjallë, duke u stërvitur vazhdimisht në fe, shpresë dhe dashuri, që krejt jeta e tyre të bëhet lutje, duke e kërkuar pandërprerë bashkimin me Zotin.“ (Konst.61)
Lutja e karmelit është lutja e Marisë, Nënës së Jezusit e cila e ka ruajtur Fjalën e Hyjit. Për atë ka medituar dhe ua ka dhënë të tjerëve.
Jeta jonë kontemplative kërkon ambient heshtjeje. Këtë na e mundëson klauzura.

 

Jeta në Bashkësi

Karmeli është i gërshetuar prej jetës në vetmi dhe jetës në bashkësi. Jeta me Zotin vazhdon në bashkimin motëror. Stilin e jetës së përbashkët , që e jep si model shën Tereza, e karakterizon barazia ungjillore dhe thjeshtësia e sinqertë e marrëdhënieve. Kjo është bashkëndarja e vazhdueshme e gëzimit dhe e vuajtjes në rrethin e familjes së vogël, në të cilën motrat shartohen për krejt jetën, ku të gjitha duhet të jenë dashamire, të gjitha duhet të duan njëra – tjetrën, ta duan të mirën e njëra-tjetrës dhe të ndihmohen, në klimë të gëzimit dhe mirëdashjes, në përkim me kërkesën e shoqërimit me motra dhe të pushimit të përbashkët, në të cilin bashkohen. (Konst.88)
Në rrezatimin e heshtjes, përqëndrimit, gëzimit, kryejmë të gjitha punët që bëjmë në një familje.

 

Kush mund të jetë karmelitane?

“Kandidatet që interesohen për Rregullin tonë, duhet të jenë persona lutjeje, që përpiqen rreth dashurisë së përsosur dhe ndarjes nga bota; duhet të jenë të afta që ta pranojnë dhe ta zbatojnë mënyrën e jetës së karmelitaneve të zbathura, në bashkim me Zotin, në vetmi të thellë dhe në lidhje të ngushtë me motrat në bashkësi.
Duhet të jenë të afta që t’i kuptojnë gjërat shpirtërore; të kenë vetëdijen e mirë për përgjegjësinë dhe për detyrat në bashkësi.
Duhet të jenë me shëndet të mirë, fizik dhe psiqik, të jenë persona mjaft të qëndrueshëm, me shpirt të fortë, që të mund ta jetojnë jetën e kushtuar Zotit dhe klauzurën e rreptë, që u takon kuvendeve tona.“(Konst.132) Pranojmë vajza nga mosha 17 deri 25 vjeç, me përjashtime.