Motrat Karmelitane të Vogla të Barmirësisë

SHTËPIA E BAMIRËSISË – VAU-DEJËS

 

 

Historiku

Me emërimin e Imzot Lucjan Avgustini, si Ipeshkëv i Sapës në vitin 2007 dhe njohja nga afër me situatën në grigjën e tij, bëri që t’i lindte në mend ideja për ndërtimin e Shtëpisë së Bamirësisë. Pas një vizite të bërë në Dioqezën Reggio Emilia në Itali, me të cilën dioqeza e Sapës ka një bashkëpunim të ngushtë që prej 15 viteve, Imzot Lucjani pati një njohje më të afërt me strukturat e Shtëpisë së Bamirësisë po në Reggio Emilia.

 

Inaugurimi i Shtëpisë së Bamirësisë

Nxitur nga shembulli i Nënë Tereze që gjithë jetën e saj ia kushtoi veprës së dashurisë, Ipeshkvi vendosi që nëpërmjet bashkëpunimit me këtë Shtëpi dhe falë donatorëve, një shtëpi e tillë të ndërtohet edhe në Sapë. Shtëpia e Bamirësisë filloi punimet për ndërtimin e saj në tetor 2008, pranë selisë së Ipeshkvisë së Sapës në Vau-Dejës. Falë ndihmës së bamirësve dhe donatorëve pas katër vite punimesh u finalizua me sukses ndërtimi i qendrës së dashurisë dhe pranimit të motrave dhe vëllezërve, ndërsa u bekua nga Imzot Lucjan Avgustini me 6 shtator 2012.
Nëpërmjet realizimit të kësaj vepre dashurie u krijua një vatër e madhe e ngrohtë, një palestër dashurie për një kategori njerëzish që kanë më shumë nevojë se askush tjetër për këtë ngrohtësi dhe dashuri. Kjo dashuri e treguar në këtë vepër po i bën këto persona të kuptojnë se nuk janë vetëm. Vullneti i mirë, shpirti i madh krijon dhe realizon vepra të mëdha, jo për vete por për njerëz të veçantë e në nevojë. Ndaj dhe quhet “Shtëpia e Bamirësisë”, sepse është ndërtuar për të mirëpritur ata që kanë më së shumti nevojë për kujdes dhe dashuri, sikurse na ka mësuar e Lumja Nënë Tereza, emrin e së cilës e mbart Kisha Katedrale e Sapës. Po në gusht të vitit 2012, erdhën dhe misionaret e para “Motrat Karmelitane të Vogla të Bamirësisë”, të cilat shërbejnë në këtë shtëpi dhe jetojnë bashkë me anëtarët e kësaj shtëpie si një familje e vetme që ngrohet në dashurinë e Zotit dhe të bamirësisë. Bashkëjetesa e kësaj bashkësie është e mirëorganizuar në çdo detaj, duke filluar që nga kushtet bashkëkohore, rregulli dhe pastërtia, ambjentet e përshtatshme për të qëndruar bashkë, kapela për t’u lutur bashkë në të cilën kremtohet çdo ditë edhe Eukaristia Shenjte, mikpritja e mysafirëve dhe vizitorëve që vijnë nga ana anës etj. etj. 

 

Shtëpia Sot

Aktualisht shtëpia e bamirësisë përbëhet nga 9 anëtarë, prej të cilëve 2 janë motra, 4 gra janë të moshuara dhe një vajzë me emrin Regjina 22 vjeçe. Ndërsa dy fëmijë të moshës 13 dhe 11 vjeç, Pjetri dhe Fabiani, janë në një shkallë më të rëndë shëndetësore ku nuk as nuk mund të flasin dhe as nuk mund të ecin, por ndodhen në karrocë. Shtëpia e bamirësisë mbahet në këmbë nga ana financiare falë bamirësve që japin kontributin e tyre, ndërsa për nga ana e shërbimit, nën udhëheqjen e famullitarit Dom Simon Kulli, kujdesen besimtarët e famullisë, kryesisht grupi i Legjionit të Marisë dhe të rinjtë vullnetarë që shërbejnë vullnetarisht sipas ditëve dhe orareve të caktuara. Në mënyrë që shërbimi të jetë sa më i rregullt, shpeshherë janë bërë takime formimi me të rinjët Vullnetar të Caritas-it duke sjellë modelin më të mirë të shërbimit ndaj shtresave në nevojë, kryesisht përsonave me aftësi te kufizuara. Një grup i të rinjve ka pasur mundësinë të shohë nga afër funksionimin e shtëpive të bamirësisë ne Itali duke marrë një eksperience të mirë ndaj shërbimit.  Ky sallon bukurie po vazhdon çdo ditë e më tepër të zbukuroje qytetin dhe familjet tona, të cilat japin kontributin e tyre duke shërbyer në ketë shtëpi. Po ashtu ndihmohet shumë edhe nga ana materiale ku besimtarë të shumtë sjellin ofertën e tyre qoftë në vlerë monetare qoftë dhe në ushqimet e përditshme.
Të gjithë i duan këto persona që për arsye apo për një tjetër janë bashkuar në këtë qendër të bamirësisë. Një kujdes shumë të veçantë e tregon bariu i tyre shpirtëror, Imzot Lucjan Avgustini ku pothuajse çdo ditë i viziton këto banorë dhe kujdeset për to mbi ecurinë shëndetësore dhe bashkëjetesën e tyre me njëri-tjetrin. Por nuk mund të mos përmendim edhe meshtarët, motrat seminaristat dhe shumë e shumë persona të tjerë, të cilët tregojnë kujdesin dhe dashurinë e tyre ndaj kësaj bashkësie bamirësie.
Gjithashtu, Shtëpia e Bamirësisë është vizituar edhe nga personalitete të larta shtetërore dhe civile. Një ndër këto kanë qenë Ambasadori i Vatikanit, Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Moliner Ingles si dhe Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, Zj. Odeta Nishani.