Dioqeza e Sapës

Dioqeza e Sapës

Dioqeza e Sapës ka një terren të gërshetuar ndërmjet maleve dhe fushave. Selia e kësaj Dioqeze aktualisht ndodhet në qytetin e Vau-Dejësit, ku edhe ndodhet Kisha mëmë, Katedralja së bashku me selinë ipeshkvore. Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës është Shkëlqesia e Tij, Imzot Lucjan Avgustini.

Kufiri i saj fillon me zonën fushore, ndërmjet dioqezave të Shkodrës e të Lezhës. Nga ana veri-perendimore e saj ka si kufi ndarës me Dioqezën e Shkodër-Pult, shtratin e vjetër të lumit Drin.

Në anën jug-lindore kufizohet me Dioqezën e Lezhës dhe të Rrëshenit ku për kufi ndarës ka mbarimin e shtrirjes së fushës së dytë pjellore në vend, për nga prodhimtaria, atë të Zadrimës. Në përbërje të saj janë një sërë fshatrash, që për nga tradita, zakoni dhe veshja i përkasin Dioqezës së Rrëshenit, sikurse janë fshatrat: Kaftallë, Kuzhnen, Rras, Dom, Mesul, Kimëz, Mollkuqe e Armiraj në rrethin e Pukës. Në veri-lindje të saj kjo Dioqezë kufizohet me Shtetin e Kosovës. Në brendësi të hapësirës territoriale Dioqeza e Sapës ka qytetet veri-lindorë të Pukës, Fushë-Arrësit, Kukësit, Hasit dhe Bajram Currit, ose siç njihet ndryshe me emrin e lashtë të saj Tropoja.

Nga Bajram Curri fillon përsëri të zbresë brenda territorit të Shqipërisë në zonën e Lek – Bibajve, pastaj kufi është lumi Drini, duke filluar nga rrethi i Pukës në Qebik, Dardhë, Mzi, Miliska, Poravë, Fierzë, Kokëdodë, Apripë, Mertur, Berishë e Epër, Berishë e Vogël, Berishë Vendi, Midhë, Bushat, Lëvrushk, Qelëz e Buzhalë. Vazhdon me Karmë, Gomsiqe dhe Vau – Dejës.
Ishulli i Shurdhahut që është mbi shtratin e lumit Drin, poshtë Karmës pranë Vjerdhës, është i Dioqezës së Sapës. Kufiri vazhdon me lumin Drin nëpër fushë të Zadrimës, me fshatrat Pistull, Paçram, Mabë, Gjadër, Grash dhe Zojz. Popullsia që shtrihet në zonën fushore është pothuajse e gjitha katolike, duke përjashtuar Mjedën, që pjesën më të madhe të banorëve i ka besimtarë myslimanë.

Vau–Dejës, Deja e Gjadri kanë pak myslimanë. Rrethi i Pukës është më shumë se 85% katolikë. Rrethi i Kukësit, Krumës e Hasit janë pothuajse krejt myslimanë. Në rrethin e Tropojës kemi fshatin Cërrnicë që është krejt katolike. Po ashtu edhe zona e Lek – Bibajve janë të gjithë katolikë. Në pjesën më të madhe territoriale të saj Dioqeza e Sapës është e mbuluar nga zonat malore. Popullsia e këtyre zonave gjendet në një varfëri ekonomike më të theksuar në krahasim me pjesën fushore.

Dioqeza e Sapës deri në vitet 2001 – 2005 ka pasur afërsisht 200.000 banorë. Raporti ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve është afërsisht 50% me 50%. Duhet vënë në dukje emigrimi i brendshëm me zhvendosja e popullsisë, në veçanti në këto 15 vitet e fundit, nga zona e thepisur malore duke u ngulur në zonat rurale të periferive të qyteteve të mëdha, sikurse janë Tirana, Durrësi, Lezha etj. Me siguri se edhe numri i popullsisë ka ndryshuar. Sipas regjistrimeve të fundit që kemi në librat e pagëzimeve, numërojmë rreth 73. 000 besimtarë katolikë.

 

Sintezë e historikut të Dioqezës së Sapës

Dioqeza e Sapës ka një jetëgjatësi 950 vjeçare. Këtë e vërteton Annuari i Selisë Shenjte në Vatikan, i cili shkruan se themelimi i dioqezës së Sapës është bërë në vitin 1062. Për fat të keq nuk disponojmë të dhëna më të hollësishme në lidhje me këtë datë.
Selia e saj në të kaluarën ka qenë në qytetin e Sapës. Një qytet që ngrihej në brendësi të malit Shën Mëhillit, përballë fushës së Zadrimës ose Sapjanës siç e quan Dom Nikoll Mazreku fushën e Zadrimës. Duke ju referuar librit të Dom Gaspër Gurakuqit me titull “Dioçezi i Sapës” 1941, (vit ky i botimit të librit të tij), shkruan se Helena e Serbisë së bashku me Ipeshkvin e Tivarit i kërkojnë Atit të Shenjtë që qytetin e Sapës, fillimisht bashkë me Zadrimën e poshtme, ta shpallte Dioqezë të re. Ati i Shenjtë e miraton kërkesën dhe Sapa në vitin 1291 shpallet Dioqezë. Ipeshkvi i parë i saj quhej Pjetër. Më vonë, në vitin 1491, Dioqezës së Sapës i bashkangjiten edhe dy dioqezat e tjera kufitare me të: Dioqeza e Danjës dhe ajo e Sardës. Ky bashkim me Sapës Sardës e Danjës u bë nga Papa Eugeni IV.

Sapa nuk ekziston më si qytet, sepse në shek. XIII-të pasi që ajo ishte formuar si Dioqezë, Tartarët, një popullsi e ardhur edhe në Ballkan në atë kohë, e mundën qëndresën e banorëve të qytetit. Pas fitores ata dogjën të gjithë qytetin dhe thuhet se një pjesë e popullsisë së saj u shpërnda përgjatë fushës së Zadrimës. Që nga ajo kohë qyteti s’u bë më, por Dioqeza vazhdoi të mbetej me atë emër dhe vetëm selia ipeshkvore mbeti aty ku ishte i ndërtuar qyteti.
Sot, në ish qytetin e Sapës është vetëm një fshat që quhet Nënshat, domethënë “poshtë Sapës”, “poshtë fshatit” ose “nën fshat”, ose “nën shatë”. Prejardhja etimologjike e saj vjen nga sllavishtja, dhe e përkthyer në shqip do të thotë: nën shat.