Kronologjia e Ipeshkvinjëve të Sapës

Radha e ipeshkvinjve të dioqezës së Sapës fillon me Pjetrin, me 11 Qershor të vitit 1291. Ndoshta edhe për mungesë dokumentash ose për arsye të tjera, kjo nuk dihet, radha shkëputet për pak kohë.

Më i pari pas Pjetrit qe vënë Pali, nuk dihet se në cilin vit. Sipas një dokumenti të Papës Gregori XI në vitin 1376 pas Palit, në dioqezën e Sapës emëron Benevenulin, i urdhërit françeskan. Ky e mbajti selinë për 20 vjet.

Pas tij Bonifaci I  emëron më 1386 Pjetër Zakarinë. Pas Pjetrit vjen Nikolla, më 1414. Ky qe viti kur Koy Zakaria u Kthye në Kishën Romake. Pas Nikollës, në Mars 1422 u emërua Mikeli, kanonik i Kishës së Sapës.

Në Korrik të vitit 1425 u zgjodh Pjetri  III, i cili qe abat i Shën Sergjit të Bahut në Dioqezën e Shkodrës.

Këtij i qe dhënë dhe një manastir në dioqezën e Drishtit, që siç dukej duhet të ketë qenë manastiri i S. Joannis de Strilalio, sepse ky manastir i qe dhënë edhe Mateut, pasuesit të tij për arsye se dioqeza e Sapës kishte të ardhura tepër të pakëta.

Mateu i përkiste familjes Hermollaji në Arbëri. Kjo familje i kishte dhuruar dioqezës së vet 6 ipeshkëvij. Edhe ky qe dërguar në dioqezën e vet, të Arbërisë më 1446, pasi një vit më parë duke u ndodhur në Itali kishte marrë pjesë në Konçilin e Firences.

Pas Mateut, prej Eugenit IV, qe zgjedhur Gjergji, arqiprift i Kishës S. Michaelis de Plebe në Padovë. Deri më 1451 Gjergji sundonte dioqezën e Sapës. Me 1460 qe sjellur këtu Emanueli nga Shkodra, që s’dihet se sa sundoi. E ndoqi një anonim. Me 1472 ky anonim qe dërguar tjetërkund dhe në vend të tij qe sjellur Marin Suma, në vitin 1473.

Marini qe liruar nga pagesa e tagrit të Papës duke qenë se Kisha e Sapës ishte rrënuar dhe shkatërruar prej turqve.

Pas Marinit i qe dhënë ipeshkvia Gabrielit, françeskan më 1479, por ipeshkëv nuk u bë, sepse duket se nuk e pranoi.

Në mbarim të Nëntorit 1489, Sapa shkoi nën administrimin e dioqezës së Lezhës, nën Blasin, i cili u vu ipeshkëv atë vit në atë seli. Kjo nuk zgjati shumë, sepse në janar të vitit 1490 Sapës iu dha ipeshkëvi i vet Prosdoçimi. Me këtë ipeshkëv u bë bashkimi i përjetshëm i Sardës me Sapën në vitin 1491. Prosdoçimi vdiq më 1500.

Më 1501 emërohet Pjetër Stërbinja.

Më 1508 pas Pjetrit në seli vjen Domenik Garcia, françeskan.

Më 1512 Ambroz Montesini.

Më 1513 Gjergji.

Më 1514 u zgjodh Didak Fernandes, domenikan.

Më 1516 Anonim, ndoshta Pjetër Tallors.

Më 1518 pas tij Joannes Bonaventura de Valderame.

Më 1521, u zgjodh Alfons Cavalciri, françeskan.

Më 1522 ndoshta për shkak se Sulltani u bë zot i gjithë Shqipërisë, për 50 vjet rresht dokumentet heshtin për ipeshkvijtë e Sapës.

Më 1578 heshtjen e then Jossol Bardhi, i shtëpisë së Bardhajve të Sapës.

Ipeshkvijtë që i dha dioqezës shtëpia e Bardhajve janë: Jossol Bardhi, Nikoll Bardhi, Gjergj Grili ose Bardhi, dhe Frang Bardhi.

Më 1583 kanonik dhe primiçer i Metropolit të Tivarit, Gjergj Palma, u bë ipezhkëv kur kishte moshën 50 vjeç.

Më 1594, u zgjodh Nikollë Bardhi, i kërkuar edhe nga populli. Në vitin 1620 u zgjodh ipeshkëv Simon Gjeçi, i lindur në dioqezën e Arbërisë.

Më 1621 e merr selinë Pjetër Budi.

Më 1623 pas Budit del përsëri një i shtëpisë së Bardhajve Gjergj Grili, i biri i të vëllait të Nikollë Bardhit.

Më 1635 u zgjodh Frang Bardhi.

Më vdekjen e Frang Bardhit kërkoi të vinte përsëri Gjergj Grili dhe qe sjellë në seli në vitin 1644.

Më 1647 vjen Simon Suma. Me të ardhur në Sapë u detyrua të largohej, sepse në atë kohë zhvillohej lufta e Kretës mes turqve dhe venedikasve. Më 1625 Simoni hoqi dorë prej dioqezës.

Në këtë kohë që mungonte Simoni, administrimin e Sapës e mori dioqeza e Lezhës. Simoni u kthye përsëri në dioqezën e tij dhe qe zënë prej turqve në vitin 1659.

Më 1673 në dioqezë vjen Shtjefën Gaspari.

Më 1682 në dioqezë vjen Martin Jeliç dy vjet pas vdekjes së Shtjefnit.

Më 1685 Gjergj Teodori.

Pas tij vjen Egidius Quincus ose De Martino.

Ky u gjet në Konçilin e vitit 1703. Papa Klementi XI e zgjodhi ipeshkëv të Sapës më 1707.

Më 1719 qe vënë Marin Gjini.

Më 1720 Gjon Gallata.

Më 1738 Vasil Lindi.

Më 1746 Lazër Vlladanji që më 1749 qe dërguar në Tivar.

Më 1750 Gjergj Vlladanji.

Me 5 Gusht 1765 Nikollë Lindi.

Pas tij Gjon Logoreci.

Më 1796 Ndoc Radovani.

Pas tij vjen Mark Negri.

Më 1822 Lekë Suma.

Më 1827 Lazër Vlladanji.

Më 1829 Pjetër Borçi.

Më 1840 Gjergj Labella. Ky pati një konflikt me Pjetër Zarishin.

Pas Labella, me 01. 02. 1845, në seli vjen Pjetër Severini.

Me këtë ipeshkëv është e përcjellur edhe një statistikë mbi famullitë e dioqezës së Sapës.

Më 1783 Giulio Marsilli, françeskan

Më 1890 Lorenc De Petris.

Më 1893 Gabriel Nevjani, françeskan.

Pas tij Joakin Serreqi, françeskan, që nuk pranoi dhe në vend të tij qe sjellë Lazër Mjeda.

Pas tij Jak Serreqi.

Me 21 Qershor 1911 – Gjergj Koleci.

Më 1928, Gaspër Thaçi. (Administrator Apostolik).

Më 13 Qershor 1928 – Zef Gjonali.

Pas Gjonalit, më 1935 Vinçens Prendushi.

Më 1940 Gjergj Volaj. Ky ishte ipeshkëvi i fundit i dioqezës së Sapës që arriti të shkojë deri në vitin 1947. Në atë vit ky u pushkatua dhe dioqeza mbeti pa ipeshkëv dhe kaloi nën administrimin e ipeshkvit të Shkodrës deri në vitin 1967. Pas këtij viti dhe deri më 1993, ipeshkvia mbeti pa ipeshkëv dhe pa administrim.